
Avokati Petar Shilegov, mbrojtës i të akuzuarit Shofket Hazari, ish-këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë, kërkoi nga Prokuroria të tërheqë një pjesë të akuzave për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, për shkak të ndërprerjes së procedurës për 7 policë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas tij, për një pjesë të madhe të të akuzuarve për kualifikimin “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja vdekjeprurëse” nuk ka bazë ligjore. Të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve iu bashkuan kërkesës së Shilegovit.
“Diçka që e konfirmon edhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar është se për një pjesë të policëve që ishin nën hetim nuk mund të ngarkohet kjo vepër penale, pasi ata nuk kishin mundësi ligjore të kryenin mbikëqyrje inspektuese. E njëjta gjë vlen edhe për një pjesë të të akuzuarve, për klientin tim, personi që nuk e ka shkaktuar zjarrin. Bëhet fjalë për punonjës administrativë, shumë njerëz që në bazë të kërkesës për dhënien e licencës kanë vepruar sipas detyrës zyrtare dhe brenda kompetencave të tyre nuk ishin organe që duhej të kryenin mbikëqyrje inspektuese,” deklaroi Petre Shilegov, Avokat.
Në seancën e sotme dëshmitarët deklaruan se zjarri që kishte përfshirë tavanin ishte përhapur me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar panik dhe stampedo. Njëri prej dëshmitarëve, Dejan Manasiev, tha se nuk kishte parë kush e kishte futur dhe kush e kishte aktivizuar piroteknikën në diskotekë, por shtoi se në ngjarjet e mëparshme ku ishte përdorur piroteknikë, vinte një person nga Shkupi që e vendoste, por natën kritike ai person nuk ishte i pranishëm në “Puls”. Ky dëshmitar ishte propozuar edhe nga mbrojtja, dhe përveç Prokurorisë, pyetje i bënë edhe avokatët e të akuzuarve.
Prokuroria reagoi ndaj deklaratave të tij, duke i treguar se disa nga dëshmitë e dhëna gjatë hetimit dallojnë nga ato që ai dha sot në sallën e gjyqit. Në këtë dëshmi reaguan edhe prindërit e viktimave në “Puls”, duke theksuar se është e rreme dhe ka për qëllim të shpëtojë pronarin e “Puls”, Dejan Jovanov – Deko. Më 16 mars të viti të kaluar në zjarrin në diskotekën Puls humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Seanca e radhës për këtë ngjarje tragjike është më 5 shkurt. /alsat.mk



