
Pas bllokadës së Kuvendit, Lidhja e Sindikatave sot në mesditë do ta realizojë të dytën nga tri bllokadat e paralajmëruara, duke kërkuar rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 6.000 denarë. Sot do të bllokohet Oda Ekonomike në qendër të Shkupit.
Bllokada e Odës bëhet, siç thonë nga LSM, për shkak se punëdhënësit nuk duan t’i rrisin pagat e punëtorëve, të cilët duke kërkuar një ekzistencë më të mirë, po largohen jashtë vendit.
E fundit do të bllokohet Qeveria të martën e ardhshme, pas çka nga LSM paralajmërojnë edhe një protestë tjetër dhe organizimin e një greve të përgjithshme nëse të gjitha këto aktivitete nuk japin rezultat.
Nga LSM kërkojnë rritje të pagave për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe rritjes së shportës sindikale të konsumit, e cila në janar është rritur për rreth 900 denarë krahasuar me dhjetorin. Sipas përllogaritjeve të LSM-së, në janar vlera e shportës sindikale ka qenë 66.413 denarë, ndërsa me qira për një banesë prej 60 metrash katrorë arrin në 81.788 denarë.
Qeveria mbetet në qëndrimin që sindikatat dhe punëdhënësit të arrijnë marrëveshje mes vete. Paga minimale sipas ligjit duhet të rritet në mars, kur bëhet harmonizimi që sipas përllogaritjeve duhet të jetë nga 1.500 deri në 1.700 denarë, të cilat punëtorët do t’i marrin me pagën e prillit.



