LajmeMaqedoni

Gashi u bën thirrje të rinjve: Lexoni libra për të formësuar mendimin dhe të ardhmen tuaj

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka ftuar të rinjtë dhe studentët që të lexojnë më shumë libra, duke theksuar se leximi është thelbësor për zhvillimin e dijes dhe mendimit kritik.

Në një fjalim të mbajtur në Kuvend, me rastin e Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, Gashi u shpreh se periudha e rinisë është vendimtare për formësimin e mënyrës së të menduarit dhe të kuptuarit të botës.

“Ju jeni në një fazë ku formësohet dija dhe mënyra e të menduarit. Librat që zgjidhni sot dhe mënyra si i lexoni ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si do ta kuptoni botën, shoqërinë dhe rolin tuaj në të,” deklaroi ai.

Gashi theksoi se procesi i të mësuarit nuk përfundon me diplomimin, duke inkurajuar të rinjtë që të vazhdojnë të lexojnë dhe të zhvillohen vazhdimisht, në mënyrë që të mos mbeten prapa në një botë që ndryshon me shpejtësi.

Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e librit si një hapësirë reflektimi dhe një mjet kyç për marrjen e vendimeve të informuara. Sipas tij, librat ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si njerëzit mendojnë dhe veprojnë në shoqëri.

Në fund, Gashi theksoi angazhimin e institucioneve për të mbështetur krijuesit, për të mbrojtur të drejtat e autorit dhe për të promovuar kulturën e leximit në vend, duke shtuar se leximi duhet të jetë një proces aktiv që nxit ide dhe mendime të reja.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk