Gjoba nga 200 deri në 800 euro për persona juridik, kanë marrë disa tregtarë që shesin pelet, ndërsa personat përgjegjës janë gjobitur nga 40 deri në 80 euro dhe janë kryer 131 kontrolle, bëjnë të ditur nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Mbikëqyrësit nga ISHT-ja thonë se do të vazhdojnë, por edhe se nëse ka nevojë do të veprohet edhe me drurin për ngrohje, i cili në magazinat private varion nga 4800 deri në 5000 denarë për metër kub dru.
“Parregullsitë kanë të bëjnë me regjistrat tregtar, në disa objekte nuk janë konstatuar regjistrat tregtarë në objekt, në dy objekte nuk janë mbajtur evidenca tregtare dhe në dy subjekte është konstatuar se objektet e shitjes, pra magazinat ku peletët janë të lokalizuara, nuk kanë paraqitur kërkesë për plotësimin e kushteve minimale teknike për kryerjen e veprimtarisë tregtare. Gjobat variojnë në varësi të madhësisë së subjektit, gjobat shqiptohen nga minimumi 200 euro për personin juridik deri në 800 euro, për personin përgjegjës nga 40 deri në 80 euro”, thotë drejtoresha e ISHT-së, Aneta Simeska Dimoska.
Përveç kostos së peletit dhe druve të zjarrit, konsumatorët e kyçur në rrjetin më të madh të ngrohjes në Shkup do të paguajnë çmim të ri më të lartë nga gushti, duke u rritur për 14,18 për qind.
Sipas përllogaritjeve të Entit Rregullator, TE-TO pritet të sigurojë 70 për qind të energjisë termike të nevojshme, ndërsa 30 për qind nga termocentralet në Qytetin e Shkupit.
Në një periudhë të standardeve të shtrenjta të jetesës dhe inflacionit dyshifror, NP Pyjet Nacionale kërkoi rritje 20 për qind të çmimit të druve për ngrohje, Qeveria më parë bëri me dije se do të deklarohej pas shqyrtimit të kërkesës.