
Opinioni publik është tronditur nga një rast i rëndë i dhunës mes bashkëmoshatarëve, ku një nxënëse e klasës së gjashtë në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup është keqtrajtuar nga shoqet e saj të klasës. Sipas informacioneve, ajo është rrahur, djegur me cigare dhe e gjithë ngjarja është incizuar nga vetë nxënëset.
Për rastin është përfshirë edhe Prokuroria Publike, e cila po vepron sipas udhëzimeve të prokurorit kompetent. Ministri i Punëve të Brendshme, Panče Toshkovski, bëri të ditur se 14 persona janë thirrur për intervistë lidhur me rastin, përfshirë edhe prindërit e tre nxënëseve që dyshohet se kanë ushtruar dhunë.
Ai theksoi se hetimi është në zhvillim dhe se mund të ndërmerren masa të mëtejshme procedurale. Toshkovski nënvizoi se për shkak se bëhet fjalë për të mitur, informacionet do të ndahen me kujdes, ndërsa kërkoi përfshirje më të gjerë të të gjithë aktorëve shoqërorë në trajtimin e fenomenit të dhunës mes të rinjve.
“Është e nevojshme që të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi, i cili është i pranishëm, edhe pse jo gjithmonë i dukshëm,” deklaroi ai, duke theksuar edhe rolin kyç të prindërve në edukimin e fëmijëve.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se prindërit duhet të jenë më të përfshirë në jetën e fëmijëve të tyre dhe të tregojnë më shumë kujdes për sjelljen e tyre.
Ajo bëri të ditur se shkolla ka vepruar sipas procedurave, duke e raportuar rastin në polici dhe në shërbimet sociale, si dhe ka ndërmarrë masa të brendshme. Sipas saj, Ministria në bashkëpunim me institucionet përkatëse po përgatit vazhdimisht udhëzime dhe manuale për trajtimin e rasteve të tilla.
Janevska theksoi se, megjithëse institucionet mund të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, pa bashkëpunimin e prindërve nuk mund të arrihet sukses në parandalimin e dhunës.
Rastet e fundit të dhunës mes nxënësve në shkollat e vendit kanë ngritur shqetësime serioze, duke nxitur thirrje për një qasje më të koordinuar dhe sistematike nga institucionet arsimore, sociale dhe të sigurisë.



