Drejtori i Drejtorisë së policisë financiare, Arafat Muaremi i ka bërë thirrje prokurores publike Villma Ruskovska, nëse ka njohuri dhe informacione për kriminalitet, t’ia vërtetojë opinionit dhe të iniciojë aktakuzë ndaj tij, dhe jo siç thotë, njohuri dhe informacione boshe dhe të pabazuara duke diskredituar plotësisht funksionin që kryen.
Në një reagim me shkrim deri te mediat mbi qëndrimet e shprehura të Ruskovskës, Muaremi madje thekson se mosndjekja e një krimi për shkak të presioneve paraqet vepër penale.
“I bashkohem edhe unë thirrjes suaj deri te ambasadat dhe të gjitha palët që thirreni për ‘ndihmë’ – le ta konfirmojnë edhe ata atë që prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut e konstatoi me mbikëqyrje në punën e juaj të paligjshme dhe veprimit joetik. Përgjegjësi për arbitraritetin e juaj doemos të ketë”, thotë Muaremi.
Roli i një prokurori publik, thekson Muaremi, është të paktën të deklarojë se do të shpërndajë njohuri dhe informacione me publikun që ajo të gjykojë se kush është kriminel.