“Ballistët” të pandalshëm/ Pranë Shkëndijës edhe në Suedi
Shkëndija është gati për ndeshjen me AIK-un. Kuqezinjtë e Tetovës eliminuan Ararat Yerevan (Armeni) dhe Valmiera (Letoni), ndërsa tani do të sfidojnë gjashtë herë kampionët e Suedisë në raundin e tretë të Conference League.
Dueli i parë do të luhet sonte (19:00) në transfertë dhe do të transmetohet ekskluzivisht në SuperSport 2. Tre fitore dhe një barazim në katër duelet europiane të këtij sezoni për djemtë e Artim Shaqirit, të cilët ndodhen në formë të shkëlqyer dhe do tentojnë marrjen e një rezultati pozitiv në Stokholm.
Vendasit janë të fortë, përkohësisht renditen të tretë në elitën e futbollit suedez me 31 pikë në 16 javë kampionat. Djurgardeni kryesuese është vetëm dy pikë larg. Në stadiumin “Friends Arena” pritet të marrin pjesë mbi 20 mijë tifozë.
Ballistët nuk mund të mungojnë, tifogrupi i zjarrtë është gjithmonë prezent afër ekipit të zemrës pavarësisht distancave dhe vështirësive, ndërkohë që Shkëndija do të mbështetet edhe nga tifozë të tjerë shqiptarë që jetojnë në Suedi.
Trajneri Shaqiri foli përpara ndeshjes. AIK-un e respekton dhe ia pranon forcën, por ish-mesfushori i njohur karikon djemtë e tij dhe shpreson te rezultati pozitiv për të gëzuar tifozët tetovarë dhe gjithë shqiptarët.
“Ndeshja ndaj AIK-ut është më ndryshe se dy raundet paraprake. Kundërshtari duhet të vlerësohet në maksimum, e kam thënë edhe më herët se AIK është favorit, por favorit ngelet vetëm në letër sepse kur futemi në fushë e respektojmë vetëm veten tonë. Kemi ardhur këtu që të luajmë një ndeshje të bukur dhe të marrim një rezultat pozitiv. Do të mundohemi që të nderojmë tifozët dhe Ballistët, të cilët kanë bërë një rrugë të gjatë për të përkrahur ekipin. Shpresojmë të realizojmë planin dhe të kualifikohemi në raundin tjetër“, deklaroi Shaqiri.