
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk ka hapësirë të madhe për ndërhyrje shtesë në çmimet e ushqimeve, ndërsa theksoi se rritja e çmimeve të biletave ajrore do të ketë ndikimin më të madh në inflacionin e muajit prill.
Sipas tij, të dhënat paraprake tregojnë se çmimet e ushqimeve kanë shënuar rritje prej rreth 1 për qind në nivel mujor, krahasuar prillin me marsin. Ai nënvizoi se rritja më e theksuar është regjistruar në sektorin e transportit, veçanërisht te transportuesit ajrorë me kosto të ulët, gjë që pritet të reflektohet drejtpërdrejt në normën përfundimtare të inflacionit.
Mickoski bëri të ditur se Qeveria po pret publikimin e të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave, të cilat do të përcaktojnë nëse do të ndërmerren masa të reja edhe për sektorin e ushqimeve. Ai theksoi se mundësitë për ndërhyrje janë të kufizuara, duke përmendur si instrument kryesor tatimin mbi vlerën e shtuar, ndërsa paralajmëroi se rritja e çmimeve dhe marzheve mund të ketë efekte negative në muajt pasues.
Në lidhje me energjinë, kryeministri siguroi se nuk pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike deri në fund të vitit, pavarësisht prodhimit të reduktuar. Ai shtoi se masat si TVSH-ja e reduktuar për karburantet dhe akcizat e ulura po japin rezultate, duke theksuar se vendi aktualisht ka çmimet më të ulëta të karburantit në rajon.
Megjithatë, ai paralajmëroi se autoritetet po analizojnë rastet e mundshme të ri-eksportit të karburanteve nga kompani të caktuara dhe se, nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa përkatëse. Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës ka rënë nën 100 dollarë për fuçi, pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe njoftimeve për uljen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.



