LajmeMaqedoni

Mickoski: Korridoret 8 dhe 10 mbeten prioritet strategjik, këtë javë tender për gazsjellësin me Serbinë

Kryeministri i Hristijan Mickoski deklaroi se Korridoret 8 dhe 10 mbeten prioriteti më i madh strategjik i Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor të vendit.

Gjatë inspektimit të punimeve në autostradën Gostivar-Bukojçan, Mickoski tha se po vazhdon ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike në vend.

“Ndërtimi i autostradave, modernizimi i hekurudhës dhe realizimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 janë projekte me rëndësi strategjike. Paralelisht po punohet intensivisht edhe në lidhjet energjetike përmes linjave të tensionit të lartë dhe gazsjellësve”, deklaroi Mickoski.

Ai bëri të ditur se këtë javë do të shpallet tenderi për ndërtimin e gazsjellësit me Serbinë, pasi janë siguruar të gjitha pëlqimet dhe mendimet e nevojshme për projektin. Sipas tij, në funksion tashmë është edhe naftësjellësi nga porti i Selanikut deri në Shkup.

“Këto projekte do ta pozicionojnë Maqedoninë si qendër rajonale të transportit dhe energjisë”, theksoi kryeministri.

Mickoski paralajmëroi se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për projektet infrastrukturore dhe shprehu pritjen që së shpejti të hapet edhe pjesa e mbetur e autostradës Kërçovë-Ohër, ndërsa gazsjellësi me Greqinë të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Në autostradën Gostivar-Bukojçan, pjesë e projektit që realizohet nga Bechtel dhe Enka, aktualisht po punohet në 11 kilometra nga gjithsej 31 kilometra të planifikuara.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk