Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku do të zhvillojë takime me liderët e rajonit dhe do të bashkëkryesojë samitin e nivelit të lartë më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Agjenda e Presidentit të Këshillit Evropian në Ballkanin Perëndimor është bërë publike nga Këshilli Evropian përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, turi do të nisë më 1 qershor në Sarajevë, ku Costa do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviç, Zheljka Cvijanoviç dhe Zheljko Komshiq, si dhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krišto.
Më 2 qershor, ai do të jetë në Tiranë për takime me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar dhe me studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës. Po atë ditë, Costa do të udhëtojë drejt Shkupit, ku do të takohet me Kryeministrin Hristijan Mickoski. Presidenti Costa do të mbajë konferenca për shtyp në Shkup në ora 18:30.
Më 3 qershor, Presidenti i Këshillit Evropian do të vizitojë Prishtinën, ku do të zhvillojë takime me Presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin në largim Albin Kurti dhe drejtues të partive opozitare.
Një ditë më pas, më 4 qershor, Costa do të qëndrojë në Beograd për takime me Presidentin Aleksandar Vuçiç, Kryetaren e Parlamentit Ana Brnabiç dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Turneu do të përmbyllet në Mal të Zi. Presidenti Jakov Milatoviç do të presë liderët e rajonit në një darkë festive në Tivat, me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së vendit.
Më 5 qershor, Costa do të takohet me Presidentin Jakov Milatoviç dhe Kryeministrin Milojko Spajiq, përpara se të bashkëkryesojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor.
Tema qendrore e samitit do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, bëri të ditur Këshilli Evropian.
Zyrtarët e BE-së nuk e përjashtuan mundësinë e fillimit të një diskutimi mbi propozimin e fundit nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili propozon statusin e vëzhguesit për vendet e rajonit dhe statusin e anëtarit të asociuar për Ukrainën.
Burime në Bruksel thonë se ka ide dhe propozime të ndryshme, por se derisa të ketë një ndryshim konkret në procedura, procesi i zgjerimit do të vazhdojë sipas metodologjisë aktuale.
Zyrtarët e BE-së paralajmëruan se udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do t’u kërkojnë vendeve të rajonit të shfrytëzojnë momentumin pozitiv për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, gjë që u konfirmua me fillimin e përgatitjes së marrëveshjes së anëtarësimit BE-Mali i Zi.
Udhëheqësit evropianë, sipas njoftimeve, do t’u theksojnë udhëheqësve të rajonit rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme, përfshirë politikën e sanksioneve.
Vendeve të rajonit do t’u kërkohet të përmirësojnë sundimin e ligjit dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet me fqinjët e tyre.
Samitet BE-Ballkani Perëndimor janë bërë praktikë e rregullt që nga viti 2020. Ato mbahen një herë në vit, dhe çdo herë tjetër organizohen në një nga vendet e rajonit.
Samiti u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së në vitin 2022 në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Ky format përfaqëson një platformë kyçe politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.



