
Nafta bruto Brent u ngjit mbi 80 dollarë për fuçi, ndërsa investitorët vlerësuan rreziqet e reja gjeopolitike pas anulimit të bisedimeve të planifikuara mes SHBA-së dhe Iranit si dhe sulmeve të reja izraelite në Liban, kundrejt përmirësimit të kushteve të transportit në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Nafta bruto Brent tregtohej rreth 80,11 dollarë për fuçi në orën 07:00 GMT. Çmimet e naftës gjetën mbështetje pasi Zvicra njoftoi se bisedimet e planifikuara mes SHBA-së dhe Iranit nuk do të zhvilloheshin sipas planit.
Ministria e Jashtme e Zvicrës tha se diskutimi i planifikuar në Burgenstock u anulua pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance nuk do të udhëtonte drejt Zvicrës ndërsa detajet logjistike për bisedimet teknike të pritshme me Iranin mbeteshin të pazgjidhura.
Anulimi ngriti shqetësime lidhur me fazën e ardhshme të diplomacisë pas marrëveshjes së përkohshme të paqes mes SHBA-së dhe Iranit, e cila i dha fund një konflikti të zgjatur që shkaktoi ndërprerjen më të madhe të furnizimit të regjistruar ndonjëherë.
Veçmas, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se bombardimet dhe sulmet me artileri të Izraelit ndaj qytetit Nabatieh dhe zonave përreth shkaktuan të paktën 24 të vrarë dhe disa të plagosur në orët e para të së premtes. Pavarësisht rreziqeve të reja, investitorët u fokusuan te shenjat e normalizimit të flukseve energjetike përmes Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se kishte hequr kufizimet për trafikun drejt dhe nga portet dhe ujërat bregdetare iraniane ndërsa Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar këshilloi anijet që kalojnë nëpër ngushticë të ndjekin një rrugë më afër bregdetit të Omanit për të zvogëluar rrezikun nga minat.
Anijet-cisternë që transportonin naftë bruto dhe që më parë kishin mbetur të bllokuara nisën të dilnin nga kjo rrugë ujore të enjten ndërsa Kuvajti tha se do të fillonte rritjen e prodhimit.
Përmirësimi i perspektivës së transportit kufizoi rritjen e çmimeve të naftës, të cilat fshinë pothuajse të gjitha fitimet e regjistruara që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit dhe mbeten në rrugë për një rënie të ndjeshme javore.


