LajmeMaqedoni

Jeton Shasivari: Do të punoj për rikthimin e besimit në drejtësi dhe avancimin e reformave

Kandidati për Ministër të Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se ka pranuar me nder dhe përgjegjësi kandidaturën për të udhëhequr këtë dikaster, duke e cilësuar besimin e dhënë si një obligim të madh ndaj qytetarëve dhe institucioneve.

Përmes një reagimi publik, ai ka falënderuar kryesinë e koalicionit VLEN, si dhe bashkëkryetarët Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti për mbështetjen dhe besimin e treguar.

“Po e marr këtë detyrë në një kohë sfidash, me synimin ta rikthejmë besimin te drejtësia dhe ta ecim përpara agjendën reformuese”, thuhet në deklaratën e tij.

Kandidati theksoi se për dekada ka dhënë kontribut në fushën akademike, ndërsa u zotua se me të njëjtin përkushtim do të angazhohet edhe në funksionin e ri, duke vendosur në qendër interesin publik, forcimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Në përfundim të reagimit, ai shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe premtoi se do të punojë me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm në përmbushjen e detyrave që e presin, nëse emërohet Ministër i Drejtësisë.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk