LajmeMaqedoni

MPB: Gjobat e sistemit “Qytet i Sigurt” do t’u dërgohen edhe automjeteve me targa të huaja

Sistemi “Qytet i Sigurt” së shpejti do të mundësojë dërgimin e gjobave edhe për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski përcjell INA.

Njoftimin ai e bëri gjatë promovimit të fushatës “Drejtoni të pushuar” në pikën kufitare Tabanoc, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Toshkovski u bëri thirrje shoferëve të huaj dhe mërgimtarëve që kalojnë tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut, veçanërisht përgjatë Korridoreve VIII dhe X, që të respektojnë rregullat e komunikacionit.

“Sistemi ‘Qytet i Sigurt’ funksionon dhe do të zbatohet për të gjithë, pavarësisht nëse automjeti ka targa të Maqedonisë së Veriut apo të një shteti tjetër. Së shpejti do të përfundojë edhe faza e dytë e zbatimit, e cila parashikon dërgimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja. Nëse në shekullin XXI nuk gjejmë një mënyrë për t’i dorëzuar këto gjoba, atëherë kemi problem me vetveten”, deklaroi Toshkovski.

Ministri sqaroi se dërgimi ndërkufitar i gjobave është një proces kompleks, por theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka përgatitur një zgjidhje, e cila pritet të vihet në funksion së shpejti.

Mbi 120 mijë shkelje të evidentuara në pesë muaj

Sistemi “Qytet i Sigurt” ka hyrë zyrtarisht në funksion më 1 shkurt të këtij viti. Përmes një rrjeti kamerash inteligjente, ai regjistron automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit në rrugët e vendit.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministri, deri më 22 qershor janë evidentuar mbi 120 mijë shkelje të rregullave të komunikacionit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo shifër dëshmon përmasat e problemit, por edhe potencialin e sistemit për të përmirësuar kontrollin dhe sigurinë në trafik.

Autoritetet presin që zbatimi i fazës së dytë të sistemit të rrisë përgjegjësinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion dhe të ndikojë në uljen e numrit të shkeljeve, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shoferë vendas apo të huaj.( INA)

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk