BotaLajme

Rusia pretendon se ambasada e saj në Stokholm është shënjestruar nga një sulm me dron

Ministria e Jashtme e Rusisë ka bërë të ditur se ambasada e saj në Stokholm është shënjestruar në një sulm me dron, transmeton Anadolu.

Ministria kritikoi autoritetet suedeze për dështimin në parandalimin e incidenteve të përsëritura ndaj misionit diplomatik.

“Një kuadkopter hodhi një enë me bojë të kuqe në territorin e misionit diplomatik. Një dron i dytë, të cilit i ishte bashkangjitur një imitim i një pajisjeje shpërthyese të improvizuar, ra (me sa duket jo rastësisht) në territorin tonë, në afërsi të ndërtesës së ambasadës ruse”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministria tha se incidenti i dytë përbën “një përpjekje të hapur për të frikësuar” stafin e ambasadës.

“Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë thjesht me një provokim, por me një tentativë të hapur për të frikësuar punonjësit e misionit rus. Për këtë do të themi qartë — nuk do të funksionojë”, theksoi ministria.

Ajo shtoi se incidente të tilla janë bërë të përsëritura në Stokholm dhe akuzoi autoritetet suedeze se nuk po i përmbushin detyrimet e tyre sipas Konventës së Vjenës të vitit 1961 për mbrojtjen e misioneve diplomatike.

Sipas ministrisë, organet suedeze të rendit kanë dokumentuar incidente të mëparshme, por nuk ka pasur përparim në hetimet për dhjetëra sulme gjatë dy viteve të fundit.

Rusia tha se Suedia do të mbajë përgjegjësi për çdo sulm të mëtejshëm ndaj misionit diplomatik dhe pasojat e mundshme të tyre.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk