LajmeMaqedoni

Kuvendi miraton ligjin e ri, procedurat gjyqësore do të jenë më të shpejta

Me 81 vota pro, 9 kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Procedurën Kontestimore, i cili konsiderohet një nga hapat kryesorë reformues për avancimin e sistemit gjyqësor dhe harmonizimin e tij me standardet bashkëkohore evropiane njofton INA.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se zgjidhjet e reja ligjore krijojnë kushte për procedura gjyqësore më të shpejta, më efikase dhe me cilësi më të lartë, si dhe për rritjen e sigurisë juridike dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të qytetarëve dhe personave juridikë.

Ligji parashikon forcimin e rolit të gjykatës në përcaktimin e gjendjes faktike, futjen e mjeteve moderne digjitale në funksionimin e gjykatave, si dhe thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave, veçanërisht për kontestet me vlerë më të vogël.

Ndër risitë më të rëndësishme është mundësia për dorëzimin elektronik të shkresave dhe zhvillimin e seancave gjyqësore përmes mjeteve elektronike, çka pritet të ulë kostot dhe të shkurtojë kohëzgjatjen e procedurave.

Po ashtu, ligji sjell edhe paditë përfaqësuese për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave kolektive, duke zgjeruar qasjen në drejtësi dhe duke krijuar mekanizma të rinj për mbrojtjen juridike të qytetarëve.

Njëkohësisht, janë paraparë sanksione më të drejta dhe më proporcionale gjatë zhvillimit të procedurave, ndërsa zgjidhjet ligjore janë harmonizuar me dispozitat e tjera sistemore për të siguruar një sistem juridik koherent, funksional dhe të parashikueshëm, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.(INA)

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk