LajmeMaqedoni

Marta Kos: Maqedonia e Veriut e ka vendin në BE, mund të anëtarësohet deri në vitin 2028, por ndryshimet kushtetuese mbeten hap i domosdoshëm

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut ka një mundësi reale për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, por theksoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i domosdoshëm për nisjen formale të procesit të anëtarësimit njofton INA.

Ajo theksoi se nevojitet një konsensus i përbashkët ndërpartiak për Kodin Zgjedhor, në mënyrë që vendi ta shfrytëzojë plotësisht momentumin në procesin e integrimit evropian.

“Nevojitet një konsensus i përbashkët ndërpartiak që të kemi sukses të plotë dhe shpresoj se kjo do të ndodhë. Kur të ndodhë, kjo do të jetë në të mirë të shtetit, sepse negociatat e anëtarësimit do të ecin përpara. Agjenda e reformave dhe ajo që po bëni në kuadër të Planit të Rritjes, nga njëra anë, dhe procesi i anëtarësimit, nga ana tjetër, në një fazë do të bashkohen. Maqedonia e Veriut më pas do të mund t’u bashkohet shumë më shpejt vendeve që kanë avancuar në këtë proces”, tha Kos.

Ajo shtoi se përfitimet nga afrimi me Bashkimin Evropian tashmë po ndihen nga qytetarët dhe bizneset në vend, duke përmendur se priten negociata për heqjen e tarifave të roamingut, mundësi të reja përmes programit Erasmus+, lidhje me nismat evropiane për inteligjencën artificiale, qasje në programet evropiane të shëndetësisë dhe forcim të sigurisë kibernetike.

“Anëtarësimi i plotë do të sjellë përfitime edhe më të mëdha, të drejta dhe mundësi të barabarta për qytetarët dhe bizneset tuaja, si dhe mbështetje më të madhe për ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e rajoneve rurale. Pasi të bëheni anëtare me të drejta të plota, vendi do të përfitojë shumë më tepër. Do ta ilustroja këtë me rastin e Malit të Zi. E dimë se Mali i Zi është lider në proces dhe do të marrë trefish më shumë mjete financiare nga BE-ja sesa merr aktualisht. Të njëjtat përfitime i dëshirojmë edhe për Maqedoninë e Veriut, por miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i domosdoshëm për nisjen formale të procesit”, deklaroi Kos.

Komisionerja vlerësoi se Bashkimi Evropian deri në vitin 2028 mund të pranojë një shtet të ri anëtar nga Ballkani Perëndimor dhe theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të jetë ndër vendet që do të avancojnë më shpejt.

“Kemi bërë shumë më tepër sesa gjatë 15 viteve të kaluara. Ka gjasa serioze që deri në vitin 2028 Bashkimi Evropian të ketë edhe një shtet të ri anëtar nga Ballkani Perëndimor dhe, natyrisht, Maqedonia e Veriut duhet të jetë ndër vendet që do të ecin përpara. Ju e keni vendin tuaj në Bashkimin Evropian si shtet anëtar me të drejta të plota. Le të punojmë së bashku – ju, Qeveria, të gjitha palët e interesuara në Maqedoninë e Veriut, si dhe ne, Bashkimi Evropian, së bashku me ekipin tim – që këtë mision dhe vizion ta bëjmë realitet”, përfundoi Kos./INA/

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk