Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar donacionin e radhës nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga Byroja për çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Pranim-dorëzimi i donacionit u nënshkrua nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi dhe Drejtori i Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) në Kosovë, Shawn Waddoups.
Në donacion përfshihen tabela elektronike, kamera sigurie, databaza dhe monitorë të ndryshëm, përmes së cilëve zyrtarët korrektues nga Qendra Operative e Shërbimit Korrektues të Kosovës do të monitorojnë të gjitha qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit.
Donacioni do të ndikojë në rritjen e nivelit të sigurisë brenda dhe jashtë institucioneve korrektuese, ka për qëllim luftimin dhe parandalimin e dukurive negative, e po ashtu edhe përmirësimin e kushteve të punës së përditshme të zyrtarëve korrektues.
“Ambasada e SHBA-së me donacionet e saj përmes INL & ICITAP ka mbështetur dhe po vazhdon ta mbështes zhvillimin e SHKK-së në ndërtimin e një sistemi të avancuar, të pavarur, të sigurt dhe të vetëqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e SHKK-së./21Media