LajmeMaqedoni

Millanov: Mbetet në fuqi ndalesa për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit

“Ndalimi i vendosur për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, mbetet në fuqi derisa analizat laboratorike të konfirmojnë sigurinë e tij. Ne vazhdojmë ta monitorojmë me kujdes situatën dhe të marrim masat e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për eliminimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje dhe kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve. E sigurojmë opinionin se asnjë aspekt i procedurës nuk do të mbetet i pahetuar”, deklaroi sot drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Millanov.

Në konferencën për media në Qeveri, Milanov njoftoi se edhe sot vazhdojnë aktivitetet e shërbimeve inspektuese përmes kontrolleve ndaj operatorëve ushqimorë në rajonin e Gostivarit. Qëllimi i masave të jashtëzakonshme dhe kontrolleve të përforcuara, theksoi ai, është përcaktimi i saktë i burimit të kontaminimit, shkallës dhe përmasës së ndotjes, si dhe sigurimi i rezultateve të reja relevante laboratorike, mbi bazën e të cilave do të ndërmerren të gjitha masat e mëtejshme në këtë rast.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me vëmendje të veçantë po e ndjek gjendjen me cilësinë e ujit të pijshëm në Komunën e Gostivarit. Që nga momenti i parë kur u morën informacionet për një rrezik të mundshëm për shëndetin publik, bazuar në njoftimin e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit dhe kallëzimin nga MPB Gostivar për cenim të mundshëm të sigurisë së ujit të pijshëm në sistemin e furnizimit me ujë të Gostivarit, shërbimet inspektuese të AUV-së kryen një kontroll të jashtëzakonshëm në këtë sistem të furnizimit me ujë në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit”, tha Millanov.

Sipas tij, në përputhje me kompetencat ligjore dhe protokollet e përcaktuara, kontrolli është kryer më 16 korrik, në orët e vona të mbrëmjes, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, PTHP Gostivar dhe teknikës kriminalistike të MPB-së.
“Gjatë mbikëqyrjes u konstatua se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, në mënyrë ilegale dhe pa leje, ishin vendosur pompa të cilat drejtpërdrejt injektonin ujë nga lumi Vardar në këtë sistem të furnizimit me ujë”, theksoi drejtori.

Ai shtoi se ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë marrë katër mostra uji nga rezervuari, (burimi i ujit), uji sipërfaqësor dhe nga një çezmë publike në një xhami, për testim laboratorik me qëllim përcaktimin e sigurisë së ujit.

“Për të parandaluar një rrezik më të madh për banorët e këtij rajoni, AUV-ja menjëherë vendosi ndalesë të përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm. Gjatë ditës së djeshme, aktivitetet u zgjeruan ndjeshëm, ku shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë morën mostra shtesë nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, përfshirë institucionet publike, kopshtet, objektet hotelierike dhe të tjera që e përdorin këtë ujë për pije dhe për përgatitjen e ushqimit”, tha Millanov.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk