
Nëse institucionet kompetente nuk ndërmarrin masa urgjente dhe serioze, në Gostivar ekziston rreziku për një katastrofë më të madhe, helmime nga ushqimi dhe paraqitjen e sëmundjeve si hepatiti A, paralajmëroi sot nga Gostivari kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe theksoi se gjendja aktuale kërkon reagim urgjent nga autoritetet shëndetësore dhe përcaktim të përgjegjësisë, pasi bëhet fjalë për mbrojtjen e drejtpërdrejtë të shëndetit të qytetarëve.
“Nëse edhe tani përdoret ujë i papërshtatshëm, ekziston një rrezik edhe më i madh, e ai është helmimi nga ushqimi. Nëse ushqimi nuk lahet dhe nuk trajtohet siç duhet, ekziston rreziku për helmim, e më pas edhe për sëmundje si hepatiti A. Nuk guxojmë të lejojmë që nga një krizë të kalojmë në një rrezik të ri shëndetësor”, paralajmëroi Filipçe.
Ai kërkoi që institucionet kompetente të japin menjëherë përgjigje se çfarë uji përdoret në objektet ku përgatitet dhe shërbehet ushqimi dhe kush e kontrollon cilësinë e tij.
“Çfarë uji përdoret në restorante? Me çfarë uji lahen pjatat, takëmet dhe enët për përgatitjen e ushqimit? Çfarë uji përdoret në objektet ku organizohen tubime masive, si dasmat dhe festat e tjera? Nga sigurohet ai ujë dhe kush garanton se është i sigurt?”, pyeti Filipçe.
Kryetari i LSDM-së theksoi se rekomandimi për përdorimin e ujit teknik hap dilema shtesë te qytetarët dhe punonjësit e gastronomisë, pasi duhet të sqarohet se çfarë nënkuptohet me këtë term dhe nëse ai ujë është kontrolluar.
“Cili është ky ujë teknik? Nga e sigurojnë restorantet, nga e marrin qytetarët dhe kush e ka kontrolluar sigurinë e tij? Këto janë çështje me interes publik dhe qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje të qarta dhe në kohë”, theksoi Filipçe.
Ai shtoi se institucionet duhet të shpjegojnë edhe pse nuk ishin ndërmarrë më herët masa për monitorimin e gjendjes dhe parandalimin e pasojave të mundshme.
“Pse Qendra e Shëndetit Publik nuk e ka analizuar ujin çdo ditë? Pse, kur u shënua fluks i madh pacientësh në spital, nuk u krye një analizë e hollësishme epidemiologjike për të përcaktuar burimin e simptomave dhe shkakun e tyre? Pse nuk u reagua më herët?
Vizita jonë në Gostivar nuk ka për qëllim politizimin e çështjes. Jemi këtu për t’u ndihmuar qytetarëve, veçanërisht atyre që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Por njëkohësisht jemi këtu për të ngritur pyetje të rëndësishme për atë që ka ndodhur, për përgjegjësinë dhe për mënyrën se si mund të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes”, deklaroi Filipçe.


