Vendimi u lexua nga presidenti i atëhershëm i Gjykatës, Hisashi Owada, i cili deklaroi se “miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.
Procesi në GJND kishte nisur pas kërkesës së Serbisë, e cila, përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kërkoi një opinion këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Opinioni i Gjykatës u konsiderua një fitore e rëndësishme juridike dhe diplomatike për Kosovën, pasi konfirmoi se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë. Pas këtij vendimi, një numër shtetesh njohën Republikën e Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Deri më tani, Republika e Kosovës është njohur nga 118 shtete, ndërsa vazhdon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.
Vendimi i 22 korrikut 2010 mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë juridike dhe shtetformuese të Kosovës, duke shërbyer si referencë kryesore në mbrojtjen e legjitimitetit të pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare.