
Sot në Muzeun e Qytetit të Shkupit u zbulua busti i Mahatma Gandit. Shpalosja e monumentit të këtij udhëheqësi shpirtëror të luftës indiane për pavarësi është simbol i qëndrueshëm i vlerave që bashkojnë popujt dhe nxitje për të forcuar më tej miqësinë midis Maqedonisë së Veriut dhe Indisë.
Busti u zbulua në një kohë kur presidentja e Indisë, Draupadi Murmu po viziton vendin e cila sot bashkë me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski mori pjesë në ceremoninë në Muzeun e Qytetit të Shkupit.
“Mahatma Gandi i përkiste Indisë, por mesazhi i tij i përket të gjithë njerëzimit. Jeta e tij tregoi se e vërteta dhe jodhuna nuk janë shenja dobësie, por instrumente të fuqishme për të siguruar drejtësi, liri dhe dinjitet”, ka thënë Murmu.
Theksoi se në kohë konflikti, intolerance dhe përçarje, besimi i Gandit në dialog, dhembshuri dhe bashkëjetesë paqësore mbetet i rëndësishëm edhe sot.
“Shpresoj që vizitorët e këtij muzeu, veçanërisht të rinjtë, të qëndrojnë para bustit të tij dhe të ndiejnë mesazhin e Gandit. Le t’i frymëzojë ata të hedhin poshtë urrejtjen, të zgjidhin dallimet në mënyrë paqësore dhe t’i shërbejnë shoqërisë me guxim dhe empati”, theksoi presidentja Indiane.
Presidentja Siljanovska-Davkova me mesazh se ndryshimi që duam të shohim në botë duhet të fillojë nga vetja.
“Ndoshta trashëgimia më e rëndësishme që ka lënë Gandi është ideja e vetëvendosjes pa dhunë si e drejtë e njerëzve për të vendosur për fatin dhe të ardhmen e tyre, por edhe liria për të organizuar jetën e tyre në përputhje me vullnetin e tyre. Kjo dëshirë për liri është një ideal shekullor i popullit indian, por edhe i popullit këtu në Maqedoni”, theksoi Siljanovska-Davkova.



