
VLEN, përmes një kumtese, ka kërkuar përgjegjësi dhe sqarime nga institucionet kompetente pas ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar, duke rikthyer në vëmendje premtimet e mëhershme për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit.
Në reagimin e tyre, nga VLEN thonë se ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, gjatë mandatit kishte premtuar zgjidhje afatgjate për problemin e ujit të pijshëm, ndërsa tani kërkojnë përgjigje lidhur me realizimin e atyre premtimeve.
“Sot kur përgjegjësia bie mbi administratën që ai ka drejtuar, Taravari jo që nuk ka përmbushur ndonjë nga premtimet, por nuk jep asnjë përgjegjësi politike. Dy rezervuarët gjigantë që i premtoi në vitin 2022 për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, si donacion nga Zvicra, nuk u realizuan. Pyetja është: Ku u avulluan 7 milionë euro ndihmë nga Zvicra?”, thuhet në kumtesën e VLEN.
Nga kjo parti theksojnë se qytetarët presin transparencë, llogaridhënie dhe masa konkrete për garantimin e ujit të sigurt, duke kërkuar që rasti të sqarohet në tërësi.



