
Ushtria ukrainase ka kryer mbrëmë sulme me dronë ndaj disa rajoneve ruse.
Sipas raportimeve të banorëve vendas, të publikuara nga kanalet ruse në Telegram, janë goditur objektiva në disa qytete, përfshirë një rafineri nafte dhe qendra logjistike, shkruan Kyiv Independent.
Pas raportimeve për një sulm me dron, shpërtheu një zjarr i madh në rafinerinë NS-Oil në vendbanimin Novospasskoje, në rajonin rus të Uljanovskut.
Bëhet fjalë për një rafineri relativisht të vogël, rreth 650 kilometra larg kufirit ruso-ukrainas, e cila prodhon kryesisht derivate të naftës dhe ka një kapacitet vjetor përpunimi prej rreth 600 mijë tonësh naftë të papërpunuar. Deri më tani nuk dihet shkalla e saktë e dëmeve.
Kievi i konsideron objektet e industrisë së naftës si objektiva legjitime ushtarake, duke argumentuar se ato furnizojnë me karburant dhe sigurojnë financim për operacionet ushtarake ruse.
Sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës së naftës kanë rritur presionin ndaj Kremlinit dhe kanë thelluar krizën e furnizimit me karburant në Rusi.
Situata ka çuar në ndalimin e eksporteve, rritjen e çmimeve dhe kufizime në shitjen e karburanteve në pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa banorë nga rajone të ndryshme vazhdojnë të raportojnë pritje disaorëshe në pikat e karburantit. /Telegrafi/



