
Me 67 vota “pro”, 13 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, deputetët në seancën e sotme zgjodhën kryetarin e Partisë Demokratike të Turqve në Maqedoni, Zulfikar Zejnulla, si ministër pa resor në Qeveri.
Duke paraqitur propozimin për zgjedhjen e Zejnullës si ministër pa resor, kryeministri Hristijan Mickoski u tha deputetëve se nuk po kërkon mbështetje për një kandidat të thjeshtë për anëtar të Qeverisë, por për parimin që institucionet duhet të drejtohen nga njerëz që mund të mbajnë përgjegjësi, të marrin vendime dhe të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike apo politike.
“Shteti ynë sot ka nevojë për stabilitet, për institucione funksionale dhe për njerëz që nuk do ta harxhojnë energjinë në përplasje politike, por do ta përqendrojnë atë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye sot propozoj Zulfikar Zejnullën për ministër pa resor,” deklaroi Mickoski para deputetëve.
Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja nuk e mbështeti propozimin për zgjedhjen e Zejnullës si ministër pa resor, jo sepse ishte kundër kandidatit, por sepse, siç tha deputeti Oliver Spasovski, me zgjedhjen e tij nuk do të ndryshojë asgjë. Sipas Spasovskit, ky është një “ministër për Badenterin”, e jo për përfaqësimin e turqve në Kuvend.
“Edhe pse është ministër pa resor, në ekspozenë e kryeministrit nuk dëgjuam se cilat do të jenë detyrat që do t’ia delegojë Qeveria dhe me çfarë portofoli do të jetë anëtar i saj. Pyetja ime është nëse zgjedhja e kryetarit të Partisë Demokratike të Turqve do të ndihmojë në përmirësimin e të gjitha çështjeve të lëna pas dore dhe të rezultateve që duhet t’i arrijmë në periudhën e ardhshme. Uroj sinqerisht që nga sot, pas këtij emërimi, të shohim rezultate serioze në ekonomi, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe në të gjitha fushat e tjera, që të kuptojmë nëse vërtet përparimi i Maqedonisë varej nga përfaqësimi i turqve,” tha Spasovski.

