
Zjarret e fuqishme pyjore kanë përfshirë ditët e fundit Spanjën dhe Francën, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga banesat e tyre.
Në Spanjë, situata është përkeqësuar veçanërisht në zonën e Madridit dhe provincat përreth.
Frontet e zjarrit janë shtrirë në një perimetër prej rreth 200 kilometrash, ndërsa deri tani raportohet se janë djegur afërsisht 450 mijë hektarë tokë.
Rreth 87 mijë persona janë prekur nga zjarret në Spanjë, shumica prej të cilëve janë evakuuar nga banesat e tyre, ndërsa të tjerë janë këshilluar të kufizojnë lëvizjet për shkak të tymit dhe ndotjes së ajrit.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se prioriteti i autoriteteve është shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e zonave të banuara, por paralajmëroi se vendi përballet me “kohë të vështira”.
Presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, tha se situata është “e paprecedentë” dhe paralajmëroi se ndryshimet e pritshme të motit mund ta përkeqësojnë më tej përhapjen e flakëve.
Mbi 2,700 efektivë të Gardës Civile, Forcave të Armatosura dhe shërbimeve të emergjencës janë angazhuar në terren, ndërsa në operacione janë përfshirë qindra mjete dhe dhjetëra aeroplanë e helikopterë zjarrfikës.
Ndërkohë, në Francë situata mbetet kritike në jugperëndim të vendit, veçanërisht në rajonin e Girondës pranë Bordosë.
Rreth 200 mijë persona janë detyruar të largohen nga zonat e prekura nga zjarret.



