Partia pro serbe Fronti Demokratik e cila mund të vendosë fatin e Dritan Abazoviç heziton të prononcohet se si do të votojë në seancën e caktuar për shkarkimin e kryeministrit. Ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të vijnë pas rënies së Abazoviç.
Askush nga qeveria e Dritan Abazoviç nuk ka mbërritur në zyrën e partisë pro-serbe Fronti Demokratik të cilët kanë kërkuar formimin e një qeverie teknike e cila do të ishte përgjegjëse për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, si forma e vetme që mund t’i japë zgjidhje ngërçit politik në vend.
Këta të fundit, të cilët kanë 20 deputetë në Kuvend nuk prononcohen se si do të votojnë në seancën e 19 gushtit, kur ligjvënësit malazezë do të vendosin nëse do të shkarkojnë apo jo kryeministrin Dritan Abazoviç.
Mbrëmjen e së shtunë Lëvizja Qytetare Ura e cila udhëhiqet nga Abazoviç i ftoi Demokratët që të shkojnë drejt Bashkimit Evropian duke votuar anëtarët e Këshillit Gjyqësor në 16 gusht.
Abazoviç në një komunikim publik së fundmi ka thënë se nuk do të përjashtonte marrëveshjet përpara 19 gushtit.
Partia pro-serbe nuk ishte në mesin e forcave që iniciuan shkarkimin e Abazoviç, pasi ky i fundit miratoi të ashtuquajturën Marrëveshje Themelore me Kishën e Serbisë.
Fronti Demokratik e mbështet marrëveshjen me kishën e Beogradit.
Së fundmi siç bëjnë me dije nga kjo forcë politike prioritet i qeverisë malazeze duhet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të mos bashkëpunojë me partinë e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviç, Partia Demokratike e Socialistëve.
Nëse partia pro-serbe do të votonte për rrëzimin e Abazoviç, partia e kreut të shtetit e cila ka 29 deputetë në Kuvendin malazez mund të tentonte të formonte qeverinë, por pa sukses për shkak se i mungojnë 12 vota.
Nëse Abazoviç bie, për të cilin duhen edhe 5 vota, vendi mund të futet në kaos politik të cilat mund të zgjidhen vetëm me zgjedhje të parakohshme parlamentare.