Përfaqësuesja e Shqipërisë do të luajë ndeshje miqësore muajin e ardhshëm me Estoninë, ka konfirmuar të enjten Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Shqipëria më 13 qershor do të përballet me Estoninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë prej orës 18:00.
Në këtë datë ishte planifikuar më herët që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në kuadër të Ligës së Kombeve, por pas pezullimit të përfaqësueses ruse nga UEFA, FSHF-ja ka shfrytëzuar datën për të organizuar një ndeshje miqësore.
Gjatë muajit qershor, Shqipëria do t’i luajë edhe dy ndeshje tjetër, por në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve. Më 6 qershor do të përballet në udhëtim me Islandën, përpara se të luajë në shtëpi kundër Izraelit katër ditë më vonë.