Kanë kaluar shtatë vite nga vërshimet në Shipkovicë të Tetovës të cilat morën me vete jetë njerëzish, ndërsa sot banorët nga ky fshat me ankth rikujtojnë tmerrin që përjetuan atë ditë. Frika vazhdon të mbetet e pranishme nga përsëritja e tyre ndërsa autoritetet deri tani kanë pasur vetëm fjalë dhe vizita sidomos gjatë periudhave para-zgjedhore, shkruan Portalb.mk.
Banorët e Shipkovicës ende ndjehen të rrezikuar që nga viti 2015 që kur ndodhën vërshimet. Ata shprehen se fshati mund të kaplohet nga ndonjë fatkeqësi e radhës që natyra mund ta sjell edhe sot, prandaj është më se urgjente që ky problem të shtrohet në kohën e duhur.
Kryetari i bashkësisë lokale Ismail Iljazi shprehet se infrastruktura është e lënë në harresë dhe si e tillë është ngërçi më i madh i të gjitha problemeve tjera që vijnë me radhë, veçanërisht gjatë vjeshtës dhe dimrit kur rruga kryesore e fshatit përdoret edhe nga banorët e fshatrave Brodec, Veshallë dhe Bozovcë.
Ai shprehet se ende sot e kësaj dite nuk janë të njoftuar në lidhje me ndërtimin e shtratit të lumit në Shipkovicë, thotë se punimet për rregullimin e tij lënë jashtë rreth 12 familje.
“Ajo kryesorja e jona është që këtu pas shtatë viteve punohet dhe nuk dimë asgjë se çka punohet. Jashtë mbulimit mbeten mbi 12 shtëpi, dhe mirë është të shkohet në vendngjarje që të shihen gërmadhat që janë edhe muri afër xhamisë ku mban dheun e xhamisë ku edhe ai është duke u shembur. Nëse nuk bëhet pjesa e poshtme atëherë më mirë të ndalohet procesi i punës”, tha Ismail Iljazi.
Banorët madje ankohen se nuk u janë kompensuar dëmet.
“Dheu rin i çarë, nuk ka prekur askush asgjë siç e shihni me pasur vërshime të tjera toka shkon teposhtë dhe shtëpitë janë në rrezik. Kur bie shi ne flemë me frikë. Ata (institucionet) duhet të marrin iniciativë t’i rregullojnë”, tha Mexhait Velija, banor duke pohuar se institucionet nuk janë përkujdesur dhe nuk kanë kompensuar dëme.
“Apeloj deri tek institucionet të marrin masa sa më shpejtë të jetë e mundur, ka shumë shtëpi që kanë rrezik nga vërshimet. Banorët flenë me frikë kur bie shi“, tha Imer Iljazi, banor.
“Disa shtëpi janë kompensuar, por disa jo”, tha Ismail Iljazi.
Kryetari i bashkësisë lokale tha se me banorët do të shkojnë edhe para parlamentit, do kërkojnë edhe te Këshilli Evropian të mos përbuzen, por të gjendet zgjidhje për to.
Vërshimet e vitit 2015 morën me vete katër jetë njerëzish në mesin e të cilëve edhe të një fëmije. Përpos Shipkovicës, dëme dhe viktima pati edhe në fshatrat Reçicë e Madhe dhe Poroj. Autoritetet premtuan zgjidhje, rregullim të shtretërve të lumenjve dhe ndihmë për banorët, por këto si në shumë raste tjera mbetën vetëm fjalë.