LajmeMaqedoniRajon

“Ballkani i Hapur”, Serbia kërkon punëtorë nga Maqedonia dhe Shqipëria

Serbia pret mijëra punëtorë nga Maqedonia dhe Shqipëria, me të cilët do ta plotësojë mungesën e personelit në tregun vendor të punës, shkruajnë mediat serbe. Përmes mundësisë së dhënies së lejeve të punës të njohura në tre vendet e nismës “Ballkani i Hapur”, Beogradi parashikon që mijëra zejtarë, punëtorë sezonal, por edhe personel mjekësor do të zgjedhin Serbinë për shkak të kushteve më të mira dhe pagave më të larta.

“Mendoj se qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të jenë shumë të interesuar të vijnë tek ne, sepse kushtet dhe të ardhurat janë shumë më të mira. Gjithashtu, tek ne, punëdhënësit do të kenë zgjedhje dhe mundësi më të madhe për të plotësuar përfundimisht pozicionet për të cilat nuk kanë gjetur fuqi punëtore të përshtatshme për kohë më të gjatë…”, tha Nebojsha Atanackoviq– sindikata e punëdhënësve të Serbisë.

Kompanive serbe u mungojnë të gjitha profilet në ndërtim, saldatorë, pastaj punonjës të gastronomisë, turizmit dhe punëtorë sezonal në mbledhjen e frutave.

Pritet që së shpejti të hyjë në fuqi numri i vetëm i identifikimit për qytetarët e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë, me të cilin do të kenë qasje në tregun e punës në cilindo nga këto tre shtete, pa pasur detyrime administrative shtesë.

Për momentin nuk ka analizë konkrete nga autoritetet vendase për hyrjen dhe daljen e fuqisë punëtore që do të shkaktonte një masë e tillë.

Njohja reciproke e lejeve të punës vjen në një kohë kur nisma “Ballkani i Hapur” është gjithnjë e më shumë në shënjestër të kritikave. Kjo do të thotë se ajo bëhet nismë politike dhe jo ekonomike. Në Samitin e fundit të mbajtur në Ohër, zyrtari amerikan Gabriel Eskobar tha se fokusi duhet të mbetet në ekonomi, sepse “Ballkani i Hapur” nuk është projekt politik. Megjithatë, vetëm pak javë më vonë, liderët e tre vendeve, kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq vendosën së bashku nëse do të marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Së fundmi, analisti Eduard Xhozef, në një intervistë për “Deutsche Welle”, ka vlerësuar se Serbia, si ekonomia më e madhe në Ballkanin Perëndimor, do të përfitojë më së shumti nga nisma dhe do të forcojë ndikimin e saj ekonomik dhe politik në rajon në kurriz të vendeve të tjera.\Alsat.mk\

Show More

Related Articles

Back to top button