Gjithsej 72 ankesa për sigurinë ushqimore, nga të cilat 12 për ndryshime organoleptike të qumështit dhe produkteve të mishit të përpunuar, 10 me pretendime për praninë e ndotësve, 10 për dyshime për sigurinë e produktit dhe tetë për dyshime për helmim nga ushqimi, janë dorëzuar tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në gjashtë muajt e parë të vitit.
Megjithatë, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik në dispozicion të AUV tregojnë se deri më tani është shënuar vetëm një rast i helmimit nga ushqimi, së fundmi në fabrikën “Crombert” në Manastir.
Siç thotë për Agjencionin Informativ të Maqedonisë, drejtori i AUV-së, Nikolçe Babovski, vazhdojnë kontrollet e intensifikuara dhe të jashtëzakonshme inspektuese, sidomos në qendrat turistike, sepse sezoni veror është duke funksionuar me kapacitet të plotë.
“Qëllimi i kontrolleve të zgjeruara është parandalimi i helmimeve të mundshme ushqimore dhe infeksioneve që mund të ndodhin lehtësisht si pasojë e temperaturave të larta. Kontrollet mbulojnë të gjitha qendrat turistike, përfshirë edhe ato malore. Veterinerët dhe inspektorët zyrtarë mbikëqyrin hotelet, restorantet, piceritë, pastiçeritë, birraritë, furrat e bukës, marketet dhe operatorë të tjerë ushqimorë, ku ka frekuencë të shtuar të turistëve gjatë kësaj periudhe kohore”, thekson Babovski.
Kontrolle të forta, shton drejtori, zbatohen edhe në objektet e shitjes me pakicë në të gjitha zonat e banuara.
Por, paralelisht me kontrollet, veprohet sipas ankesave të konsumatorëve dhe zbatohet programi i monitorimit të sigurisë ushqimore, në kuadër të të cilit merren mostra nga një numër i ndryshëm produktesh dhe testohen në laborator.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, shërbimet inspektuese të AUV-së kanë kryer gjithsej 22564 kontrolle, gjatë të cilave janë konstatuar vetëm 1072 mospërputhje, për të cilat janë vendosur masat përkatëse.
Rreth 54 tonë ushqime u asgjësuan nga inspektorët dhe operatorët si të pasigurt, pjesa më e madhe ose 53.070 kilogramë ushqime me origjinë shtazore.