LajmeMaqedoni

Autoritetet në Maqedoni nuk presin që “Lija e majmunëve” të bëhet problem si COVID-19

Gjatë ditës së djeshme në Institutin e Shëndetit Publik është dorëzuar mostra e testimit të një rasti të dyshuar me linë e majmunit. Pacienti është nga Kërçova dhe para disa ditësh i janë shfaqur puçrra në trup, që është një nga simptomat e lisë së majmunëve.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive gjatë mbledhjes së djeshme rekomandoi vendosjen e izolimit në kushte shtëpie apo spitalore për të gjitha rastet e dyshuara dhe të konfirmuara me linë e majmunëve dhe monitorimin e përditshëm epidemiologjik të personave që kanë pasur kontakt me rastet e konfirmuara.

“Komisioni i Sëmundjeve Infektive rekomandoi vendosjen e masave të izolimit/karantinës dhe izolimin në kushte shtëpie apo spitalore të rasteve të dyshuara të lisë së majmunëve deri në testimin e tyre, izolimin e rasteve të konfirmuara në kushte shtëpie apo spitalore deri në përfundimin e sëmundjes apo shërimin. Monitorimi ditor epidemiologjik i kontakteve të rasteve të konfirmuara të lisë së majmunëve gjatë periudhës së inkubacionit prej 21 ditësh”, njoftuan nga KSI.

Kreu i KSI-së, Aleksandar Petliçkovski nuk pret që kjo sëmundje të bëhet problem si koronavirusi. Sipas tij, në vend ka teste për linë e majmunëve dhe tashmë Agjencia Evropiane e Barnave ka një vaksinë të miratuar, por vaksinimi masiv nuk është planifikuar.

“Zgjerimi nuk po shkon aq shpejt sa kishim frikë fillimisht, ndoshta për shkak se ishim të djegur nga korona. Transmetimi ndodh në grupe të caktuara. Vaksinat rekomandohen në mbarë botën për grupet e rrezikut, me kontakte rreziku. Imunizimi masiv për momentin nuk parashikohet askund”, tha Petliçkovski.

Show More

Related Articles

Back to top button