Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, doli garantues për Kosovën se nuk do të dëmtohet në rast se bëhet pjesë e nismës “Ballkan i Hapur”. Madje, ai tha se në rast se ndodh kjo, vendi i tij nuk rri asnjë minutë në atë iniciativë.
“Nëse e shohim një element se po i bëhet dëm Kosovës, ja unë po e marr përgjegjësinë, po them në emër të Qeverisë, se Maqedonia nuk do të jetë pjesë e iniciativës. Ne do të jemi gardian i interesit të Kosovës, nëse shohim se ka një dëm për Kosovën, për pavarësinë e saj, për njohjen e ndërsjellë, për rrumbullakimin e shtetformësisë. Ne jemi gardianë të Kosovës. Çfarë duhet tjetër të themi? Ja, po flas edhe në emër të BDI-së, po flas edhe në emër të Qeverisë, ne nuk do të rrimë asnjë minutë në atë iniciativë”.
Për këtë deklaratë ka reaguar ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha, i cili thotë se me të tilla veprime politikanë shqiptarë jashtë Kosovës “qëllimshëm apo nga naiviteti politik” po i shkaktojnë dëme shtetit të Kosovës.
“Bujar Osmani, ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, është xhevahiri i radhës së funksionarëve të lartë shtetëror shqiptarë që dëshmon përmbajtjen e vobektë deri në dyshim të bazuar të aftësisë së tij për të kuptuar rolin e ministrit të jashtëm të shtetit”.
Berisha thotë se për dallim prej kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, “që i ka të qarta kryerjen e detyrave në funksion të politikës serbomadhe me prijetaren e saj kishën ortodokse”, Osmani me qëndrimet e tij, për të cilat Berisha tha se i ka burokratike e të ftohta, sikur imiton disa zyrtarë të Brukselit që prirjet e tyre kundër shtetit të Kosovës së paku i mbulojnë me qëndrimin zyrtar të mosnjohjes së Kosovës nga BE-ja.
“Në rastin e Maqedonisë së Veriut, rasti është i kundërt, ai shtet ministër i së cilës është z. Osmani ka njohur shtetin e Kosovës dhe Maqedonia e Veriut nuk është në rolin e lehtësuesit të dialogut. Sikur po bëhet e tepërt që këta funksionarë të lartë shqiptarë janë bërë lehtësues të politikës së Serbisë. Qëllimshëm apo nga naiviteti politik, rëndësi ka që dëmet e shkaktuara janë evidente”, ka shkruar Berisha.\ SYRI.net\