Ambasadori i Greqisë në Beograd, Giorgos Giakofotakis, është shprehur se Athina nuk do të ndryshojë qëndrim në raport me Kosovën.
Pra ai është shprehur se Greqia nuk do ta njohë Kosovën.
Gjatë një interviste për Tanjug, ambasadori grek e ka cituar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendijas, i cili më 3 qershor gjatë vizitës në Serbi ka thënë se “Athina nuk e ndryshon qëndrimin për këtë”.
Megjithatë, ambasadori grek ka theksuar se Greqia ka raporte të mira me Kosovën në fushën e ekonomisë dhe atë të tregtisë.
“Greqia bashkëpunon me Kosovën në kuadër të organizatave rajonale të Evropës Juglindore”, ka deklaruar ai.
Autoritetet në Kosovë shpesh kanë thënë se Greqia do ta njohë Kosovën. Zyrtarët e lartë grekë vijnë në Kosovë duke e pranuar edhe flamurin e shtetit.
Edhe zyrtarët kosovarë kanë vizita në Athinë. Por njohja s’ka ardhur. Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE) që ende nuk e ka njohur Kosovën, bashkë me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron.