Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, gjatë takimit të mbajtur më 15 gusht në Prishtinë, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që “të pranojnë realitetin, e ai realitet është se Kosova është e pavarur”.
Këto komente Rakiq i bëri gjatë një konference për media në Qeverinë serbe në Beograd të martën, ku morën pjesë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca, dhe që të gjitha e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.
Rakiq tha se në takimin me ambasadorët e QUINT-it kanë rënë dakord që të mos bëhen publike detajet e takimit, por “për shkak të peshës dhe seriozitetit të mesazhit që morën dje, ne kemi një moral njerëzor dhe përgjegjësi politike për të informuar qytetarët se jetojnë në një Kosovë tjetër”, shkruan REL.
“Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Në atë takim, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishin se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu dëgjuan se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”, tha Rakiq.