LajmeMaqedoni

Kriza e energjisë elektrike, Maqedonia e Veriut nis sot me masat e reja të kursimit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut urdhëroi sot masa për kursimin e energjisë elektrike për t’u përballur më lehtë me dimrin që vjen. Por, masat e kursimit detyrojnë në radhë të parë institucionet dhe agjencitë shtetërore, ndërsa atyre të pushtetit vendor dhe kompanive private u rekomandohet të kursejnë enrgjinë. Autoritetet synojnë uljen e konsumit të energjisë elektrike me 15 përqind në krahasim me muajt e njëjtë të dimrit të kaluar.

Autoritetet qeveritare maqedonase synojnë të kursejnë energji elektrike në mënyrë që muajt e dimrit të kalohen më me lehtësi. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se dimri që vjen do të jetë ndër më të vështirët me të cilët është ballafaquar ndonjëherë vendi, teksa njoftoi vendimet që i mori të marten qeveria për të kursyer energjinë elektrike.

“Rekomandimet, udhëzimet dhe obligimet janë ndarë në disa kategori, para së gjithash duke u nisur nga fakti nëse bëhet fjalë për konsumin familjar, për kompani apo hapërira të objekteve publike në pronësi të pushtetit qendror, siç janë ministritë, agjencitë e ndryshme, organet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera”.

Ndërsa masat për institucionet qeveritare dhe publike janë të detyrueshme, atyre të pushtetit lokal, kompanive private dhe konsumatorëve familjarë u rekomandohet të ndjekin urdhërin që vlen për institucionet dhe agjencitë qeveritare.“Qëllimi kryesor që duhet të arrihet është ulja e konsumit të energjisë elekrtike me 15% krahasuar me muajin e njejtë të një viti më parë. Nëse nuk arrihet ky qëllim do të pasojnë sanksione të ndryshme për drejtuesit e institucioneve të përcaktuara në kuadër të vendimeve qeveritare”, tha ministri Bekteshi.

Masat do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori dhe do të zgjasin deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Masat parashikojnë, mes tjerash shkyçjen e dritave dekorative nga objektet dhe fasadat, mospërdorimin e dritave në hapësira ku ka dritë dielli, shkyçjen e kompjuterëve pas përfundimit të punës, përdorimin e arsyeshëm të kondicionerëve, varësisht temperaturave, etj.

Autoritetet në Shkup synojnë që të mos blejnë nga jashtë energji elektrike deri në fund të këtij viti dhe prodhimin vendas ta rrisin përmes kapacitetit të termocentraleve. Megjithatë, për këtë qëllim nevojiten sasi të konsiderueshme të qymyrit që do të importohej nga jashtë./VOA/

Show More

Related Articles

Back to top button