Statusi formal i Maqedonisë së Veriut në procesin e saj të integrimeve evropiane është vend kandidat me proces të hapur negociues pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, më 19 korrik në Bruksel, edhe pse fillimi konkret i negociatave kërkon që shteti të bëjë ndryshime kushtetuese për futjen e pakicave të reja në preambulën e aktit kushtetues, përkatësisht për futjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit, gjë e cila është vendosur si kusht në kornizën e negociatave.
Si afat për realizimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, përmendet periudha deri në përfundimin e të ashtuquajturit proces të skriningut për përputhshmërinë e legjislacionit evropian me atë maqedonas i cili duhet të fillojë nga shtatori i këtij viti deri në nëntor të vitit 2023. Në disa analiza lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë me BE-në, u tha se një nga përfitimet më të mëdha të këtij statusi formal është se janë tejkaluar kërcënimet dhe pengesat e procesit të integrimeve evropiane me veton të shteteve anëtare, për shkak të të cilave vendi për 17 vjet ishte në para portave e Unionit, megjithëse prej kohësh kishte përmbushur kriteret për fillimin e negociatave.
Por për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumicë prej 2/3 e votave në Parlament, gjë që për momentin duket e pamundur të realizohet.
“E vërteta doli në dritë, LSDM dhe Kovaçevski nuk kanë 80 deputetë për ndryshime kushtetuese dhe për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë. Gënjeshtrat e LSDM-së se do të ketë ndryshime kushtetuese kanë dështuar. Dimitar Kovaçevski e ka refuzuar ofertën e VMRO-DPMNE-së sepse e di se nuk ka deputetë të mjaftueshëm për ndryshimin e Kushtetutës”, thuhet në kumtesën e djeshme të VMRO-DPMNE-së.
“Le të mos ketë frikë Kovaçevski. Në seancën e parë të radhës le të vendosë në rend dite në Parlament ndryshimet kushtetuese për të përballuar realitetin se nuk ka deputetë për të ndryshuar Kushtetutën. Por të nesërmen le të japë dorëheqjen dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare, që të dëgjojë dhe të shohë opinionin e qytetarëve për tradhtitë kombëtare që i bëri qytetarëve maqedonas dhe Maqedonisë. I ballafaquar me realitetin dhe i frikësuar nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Kovaçevski është në kërkim të rrugës për të shpëtuar nga ballafaqimi me qytetarët. Frika është e madhe sepse e di se do të përjetojë një disfatë katastrofike. Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë, garant për këtë janë deputetët e VMRO-DPMNE-së, frikësimet dhe kërcënimet e LSDM-së nuk do të kenë sukses. Dimitar Kovaçevski le të marrë guxim dhe të përballet me qytetarët në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thonë nga partia opozitare.
Megjithatë, politologu Ivo Rangelloviq thekson se duke e pasur parasysh skenën politike në Maqedoni, mund të presim një pazar të ri politik ku Qeveria do të siguronte votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese.
“Duke e njohur skenën politike maqedonase në dekadat e fundit, mund të presim një pazar të ri politik në të cilin qeveria ka gjasa të sigurojë 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese. Natyrisht, e njëjta gjë nuk do të kalojë pa një krizë të pjesshme politike dhe kritika nga opinioni, por kjo sërish nuk do të mjaftojë që procesi të vazhdojë. Në të kundërtën, nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, përveç krizës që do të jetë e pashmangshme, fajin për bllokimin e integrimeve evropiane do ta kemi ne vetë, gjë që thekson absurditetin e propozimit. Duke pranuar thjesht propozimin, shteti nuk ka vend për manovrim, pra do të duhej të zbatonte gjithçka që është në përputhje me propozimin. Fatkeqësisht, rezulton se është jo racionale të mos miratohen ndryshimet në kushtetutë”, ka deklaruar për KOHA, Ivo Rangelloviq, politolog.