Rindërtimin e rrugës “Hristofer Zhefaroviq” në Komunën e Gazi Babës, ndërtimin e rrugës së re “Brigada Maqedono-Kosovare” dega 18 në Shuto Orizare dhe projektin për ndërtimin e ujësjellësit në Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq dhe Llaskarcë në Komunën e Sarajit, si dhe projektin për pesë kilometra rrugë në Usje, i paralajmëroi sot në konferencë për shtyp kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Këto, siç theksoi Arsovska, janë vetëm një pjesë e projekteve shtesë që ajo ia ka dorëzuar Këshillit të Qytetit të Shkupit për seancën e 31 gushtit.
“Këto janë vetëm një pjesë e vendimeve më të rëndësishme që janë dorëzuar në Këshill dhe shpresoj se menjëherë pas seancës do të mund të vazhdojmë me zbatimin e tyre”, deklaroi Arsovska.
Në drejtim të transparencës më të madhe në punë, Arsovska njoftoi se Këshilli i Qytetit të Shkupit do të digjitalizohet me sistem të ri konferencial për votim, me të cilin qytetarët do të kenë mundësi të kenë qasje në votimin e këshilltarëve.
Qyteti i Shkupit, siç theksoi Arsovska, tashmë është duke punuar në të parin nga pesë parqet e reja në Shkup, në Komunën e Gjorçe Petrovit, si dhe ka filluar rindërtimi i rrugës “Skoevska” në Butel, ndërsa përkujtoi se ka filluar aksioni për pastrimin e shtratit të Lumit Vardar, si dhe të kanalit të Usjanit.