Për shkak të interesimit të madh për të studiuar në 100 universitetet më të mira botërore sipas ranglistës së Shangait, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi që afati i aplikimit për bursë për studimet prestigjioze të jetë deri më 15 shtator, transmeton Portalb.mk.
“Edhe pse ka një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve për konkurset e publikuara për bursa për ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në institucionet më të larta të arsimit të lartë në botë, ministria, bazuar në analizat shtesë, ka vendosur të mos ndryshohet afati i aplikimit”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ata përkujtojnë se të drejtë aplikimi në konkurset për bursa kanë qytetar të RMV-së të cilët janë pranuar në ndonjë prej 100 universiteteve më të mira në botë, nuk janë shfrytëzues të bursës nga ndonjë dhënës tjetër dhe që kanë arritur një nivel të caktuar suksesi gjatë shkollimit të tyre të paraprak, varësisht nga cikli i studimeve në të cilat janë regjistruar.
Shuma e bursës varet nga vendi dhe universiteti ku kandidati është i regjistruar dhe mbulon koston e regjistrimit deri në maksimum 40.000 dollarë amerikan në vit, pagë mujore dhe kostot e transportit.
Pas përfundimit të studimeve, sipas kontratës së nënshkruar, kandidatët kanë obligim të kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të punojnë në sektorin publik ose privat për të paktën dyfishin e periudhës së studimit.