Kursime në sferën e energjisë do të bëjë edhe komuna e Gostivarit dhe ajo ka filluar edhe para se Qeveria të miratojë masat dhe rekomandimet. Fikja e një pjese të ndriçimit rrugor, koordinimi me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme dhe kopshteve se si të kursehet, janë disa nga masat e ndërmarra. Viti shkollor do të nisë në kohë dhe nxënësit nuk do të vuajnë për shkak të të gjitha kufizimeve, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari gjatë takimit që pati me drejtorët e shkollave publike të Gostivarit. Për racionalizimin e kostove, pushteti lokal i Gostivarit deri te MASH do të dorëzojë kërkesë që pushimi dimëror dhe ai veror të zgjasin nga dy muaj.
“Në takimin e sotëm me drejtorët e shkollave do të flasim për fillimin e vitit të ri shkollor dhe kursimin e energjisë elektrike. Ne si komunë do të dorëzojmë deri te Ministria e Arsimit dy kërkesa, e para që pushimi dimëror të jetë dhjetor-janar, pra dy muaj, kurse ai veror të zgjas rreth një muaj e gjysëm, pra viti shkollor të përfundojë në fund të qershorit dhe viti i ri shkollor të nisë nga 15 gushti. Kërkesa e dytë do të jetë që rrymën e shkollave ta paguajmë sikurse për amvisëritë e jo si rrymë industriale”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.
Ai shton se qeveria nuk ka bërë asgjë për t’i ndihmuar komunat të tejkalojnë krizën. Ndërkohë, sqaroi se komuna e Gostivarit përveç se do të fikë një pjesë të ndriçimit publik nga mesnata e deri në mëngjes, do të shtrëngojë edhe rripin në administratën lokale.
“Sa i takon kursimit të energjisë elektrike, si pushtet lokal kemi plane që nga 1 shtatori një pjesë të ndriçimit publik ta fikim në rrugë kryesore nga mesnata, ndërsa në rrugët dytësore jo. Edhe në objektin e komunës dhe institucionet tjera nën kompetencë tonën, do të ketë masa për kursim. Gjithashtru, ndriçimin publik do ta japin nën koncesion pasi më shumë humbasim se sa fitojmë”, deklaroi më tej kryetari Taravari.
Energjia elektrike që paguajmë tani, tha Taravari është për pesë fish më e shtrenjtë.
Ndryshe, sipas njoftimeve, qeveria sot duhet të shpallë gjendjen e krizës në sektorin e energjisë. Paraprakisht ajo miratoi masa që duhet të mundësojnë kursim të energjisë elektrike deri në 15 për qind dhe do të hyjnë në fuqi nga fillimi i muajit të ardhshëm.