Dy shtetasit rusë, Mikhail Zorin dhe Svetlana Timovoefa, si dhe shtetasi ukrainas Fadir Aplativ, do të mbahen nën masat e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve të nisura ndaj tyre pas arrestimit pranë ambienteve të ish-uzinës së prodhimit të municioneve në Çekin të Gramshit. Gjykata e Elbasanit, pas një seance që zgjati më shumë se dy orë, vendosi të pranojë kërkesat e prokurorisë si për vlerësimin të ligjshëm të arrestimit, ashtu edhe për atë të caktimit të masave të sigurisë për të tre të arrestuarit.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e sigurimit të informatave dhe goditjes për shkak të detyrës, pasi njëri prej tyre, Mikhail Zorin, ka kundërshtuar dy efektivët e forcave të armatosura që ruanin objektin ku Zorin ishte futur në mënyrë të paligjshme për të fotografuar, duke u hedhur edhe spraj neuroparalizues.
Hetimet paraprake kanë siguruar dyshime të forta se dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas janë pjesë e shërbimeve të inteligjencës ruse dhe ishin orientuar për të fotografuar objekte ushtarake dhe ato të rëndësisë së veçantë në vendin tonë. Burimet bëjnë me dije se edhe vetë të arrestuarit kanë pranuar rekrutimin nga shërbimet e inteligjencës ruse, por pa pasur dijeni se për çfarë nevojiteshin këto fotografi.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të seancës, vetë të arrestuarit dhe avokatët e tyre kërkuan masa më të buta sigurimi, ndërsa në sallën e Gjykatës së Elbasanit ka qenë e pranishme edhe konsullja e Ukrainës në vendin tonë, Svetllana Bogdanova, e cila u sigurua se ndaj shtetasit ukrainas, si i përfshirë në këtë hetim, Fadir Aplativ, ishin respektuar të drejtat e parashikuara në ligj, ndërsa u shpreh se ai ka qenë vetëm shofer i dy shtetasve rusë.
“Besoj se qytetari ynë është i pafajshëm, ka qenë vetëm një udhëtar. Jam këtu për të parë nëse i janë ofruar kushtet e duhura për mbrojtje. Detyra ime është të mbroj të drejtat e qytetarit tim. Ai duhet të përfaqësohet me avokat, duhet të jetë në kushte të mira dhe duket se këto janë garantuar”, tha Bogdanova.
Gjithsesi, të tre të arrestuarit do të qëndrojnë në arrest me burg deri në përfundimin e plotë të hetimeve ndaj tyre. /A2CNN