LajmeRajon

Lajçak nga veriu: Nuk mund të ketë më barrikada dhe trazira

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se nuk mund të ketë më barrikada dhe trazira në Mitrovicën e Veriut.

Pas takimit të enjten me përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës, Lajçak tha se nuk mund të ketë situatë të njëjtë sikur më 31 korrik dhe 1 gusht, kur përfaqësuesit serbë lokal ngritën barrikada për të penguar Qeverinë e Kosovës për të zbatuar dy vendimet e saj për reciprocitetin në dokumente të udhëtimit dhe për targat ilegale.

“Një mesazh shumë i fortë nga Bashkësia Evropiane është se ne nuk mund të jemi në të njëjtën situatë më 31 gusht si në 31 korrik. Kjo është arsyeja pse ne e kërkuam dhe e morëm atë shtyrje dhe për këtë arsye organizuam takimin në Bruksel javën e kaluar dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu sot që njerëzit të mos kenë frikë, që njerëzit s’kanë pse, që të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale, kështu që ne po bëjmë gjithçka që të mos ketë barrikada…Unë jam këtu për të bërë gjithçka së bashku me miqtë tanë amerikanë në mënyrë që të mos ketë barrikada, të mos ketë trazira dhe të mos ketë lëndime dhe që njerëzit të jetojnë të qetë… Duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale, një ditë e zakonshme”, tha ai.

Takimin me serbët lokalë Lajçak e vlerësoi si të mirë dhe tha se do të angazhohet që të gjendet një zgjidhje që mos të përkeqësojë jetën e tyre.

“Jemi me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, natyrisht që ata dëgjojnë nga ne se cili është qëllimi i misionit tonë, që ne dëgjojmë nga dora e parë, si është atmosfera, cilat janë pritshmëritë dhe mendoj se çfarëdo vendimi të merret, serbët që jetojnë atje janë në qendër të atij vendimi, kështu që çdo vendim i keq përkeqëson jetën e tyre dhe një vendim i mirë e përmirëson atë, kështu që ishte e rëndësishme për mua që ata të mos mësojnë për ato proceset në mënyrë indirekte, por edhe të bisedojmë . Kemi kaluar gati dy orë, kemi pasur shumë mundësi të flasim për gjërat dhe sigurisht që misioni ynë vazhdon, tani po shkojmë nga këtu në Beograd ku kemi një takim me presidentin Vuçiq dhe pastaj të shohim nëse ia dolëm dhe ku jemi”, shtoi ai.

Lajçak tha se duhet të gjendet një zgjidhje për të shmangur krizën dhe përshkallëzimin

“Unë jam në mes të misionit dhe definitivisht nuk dua të flas për opsionet që janë në tavolinë sepse kjo do të ishte e dëmshme për suksesin e misionit… Opsionet janë opsione që ruajnë paqen dhe atmosferën normale në terren. Këto janë lajmet e mira. Nuk ka të bëjë me fitues apo humbës, ka të bëjë me njerëzit që jetojnë këtu… Nuk dua të spekuloj për këtë. Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje, për të shmangur krizën dhe për të shmangur përshkallëzimin, pra mos të spekulojmë për situata krize”, tha ai.

Në takim ishte edhe i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Lajçak dhe Escobar gjatë vizitës në Kosovës takuan edhe krerët institucionalë dhe opozitarë në vend.

Pas vizitës në veri, dy emisarët euro-amerikan udhëtuan për në Beograd, ku do të zhvillojnë takime me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq./Kosovapress

Show More

Related Articles

Back to top button