LajmeMaqedoni

Maqedonia filloi me gjendje krize në energjetikë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të enjten ka shpallur gjendje krize në sektorin e energjetikës. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 shator dhe do të zgjasë për 30 ditë.

Qëllimi i këtij vendimi është që përmes mjeteve nga buxheti t’u ndihmohet kompanive energjetike për prodhimin e energjinë elektrike, si dhe blerjen e mazutit dhe thëngjillit.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka propozuar që gjendja e krizës të vazhdohet deri në muajin mars të vitit 2023, por ka thënë se janë deputetët ata që mund ta bëjnë këtë.

“Kuvendi dhe deputetët kanë të drejtë të vazhdojnë gjendjen e krizës në sektorin e energjetikës. Propozoj që gjendja e krizës të vazhdojë aq sa është dhe sezoni i ngrohjes”, ka thënë ai pas mbledhjes së qeverisë.

Në bazë të ligjeve në Maqedonisë së Veriut, qeveria mund të marr vendim për gjendje krize vetëm për 30 ditë.

Ndryshe nga një shatori hyjnë në fuqi dhe masat e qeverisë për kursimin e energjisë elektrike. Masat e qeverisë i obligojnë institucionet e shtetit të ulin faturat e energjisë elektrike deri në 15 për qind.

Me këto masa qytetarëve dhe kompanitë private vetëm u rekomandohet që të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që është e mundur.

Në mesin e këtyre masave përfshihet ndërprerja e ndriçimit dekorativ të fasadave në institucione dhe në monumentet kulturore, shkyçja e dritave, kompjuterëve dhe të gjitha pajisjeve elektronike, sapo të largohen të punësuarit nga ndërtesat.

Planet për kursimin e energjisë nëpër shkolla

Kriza energjetike vë në pikëpyetje edhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike theksojnë drejtuesit e shkollave në Maqedoninë e Veriut. Ata kërkojnë që qeveria të vendos si prioritet financimin e paneleve diellore përmes së cilave do të uleshin dukshëm këto fatura.

Ministria e Arsimit është zotuar se në kushte të krizës energjetike “shkollat do të jenë të fundit që do të mbyllen”, dhe nëse ndodh një e gjë e tillë, prapë “shkollat duhet të jenë të parat ata që do të hapen”.

Por, kriza energjetike ka mobilizuar drejtoret dhe menaxherët e shkollave për të gjetur modalitete se si të ulin faturat e rrymës.

Jovançe Manaskov, nga shkolla fillore “Bllazhe Konevski” në komunën e Velesit, 100 kilometra larg Shkupit, tha për radion Evropa e Lirë se ka dorëzuar kërkesë për vendosjen e paneleve diellore në ministrinë e Arsimit dhe komunë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Ne kemi projekt të gatshëm për vendosjen e paneleve diellore. Mendoj se ministria e Arsimit, qeveria duhet t’u japin prioritet këtyre projekteve. Nëse ne vendosim këtë sistem, ne do të prodhojmë vetë rrymë dhe komuna do të këtë leverdi për shkak që nuk do të paguaj faturat e rrymës”, tha ai.

“Tani ne në planet vjetore financiare duhet të ndajmë mjete për fatura e rrymës të cilat janë gjithnjë të larta, në vend se këto mjete t’i destinojmë për përmirësimin e kushteve në shkollën tonë”.

Marjan Jonovski, drejtor i shkollës fillore “Gjorgjia Pulevski” në Shkup tha për radion Evropa e Lirë se po ndërmerr disa masa për të kursyer energjinë elektrike. Një nga to është edhe zëvendësimi i poçeve elektrike me efikasitet energjetik.

“Duhej të zëvendësojmë dritaret dhe dyert e shkollës, por me ndërrimin e ministrit procedura e realizmit të këtij projekti ka ngecur”, tha ai.

Plan për kursimin e energjisë ka edhe shkolla fillore “Kirill dhe Metodi” në Tetovë.

“Këtë vit si e para planifikojmë të zëvendësojmë poçet elektrike me kapacitet më të ulët, dhe si më me prioritet mbetet përshpejtimi i procedurave për vendosjen e paneleve diellore, që mos kemi problem me kursimin e energjisë”, tha drejtoresha e kësaj shkolle, Sihana Kaba Kasami.

Sipas saj, ndoshta kategoritë e tjera mund të qëndrojnë në ambiente të më të ftohta, por kur bëhet fjalë për nxënësit “duhet të kenë kushte të përshtatshme që mendjen ta kenë të mësimi dhe jo ngrohja apo ndriçim i dobët”.

Si e menaxhojnë komunat krizën energjetike?

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, pas takimit që ka realizuar me drejtorët e shkollave të kësaj komune, më 25 gusht ka kërkuar nga Qeveria zgjatjen e pushimit dimëror. Ai tha se ky pushim duhet të zgjat dy muaj edhe atë nga dhjetori deri në janar. Ndërsa viti shkollor, sipas tij, duhet të filloj me 15 gusht.

“Për të kursyer energjinë për ngrohje, do të shqyrtojmë mundësinë që të shkyçet ngrohja në korridoret përderisa sallat sportive të ngrohen vetëm gjatë atyre ditëve që do të mbahen orët e edukatës fizike në shkollat e caktuara. Në disa shkolla ka mundësi që nxënësit të ndjekin mësimin vetëm një turn”, tha Taravari.

Ai nga qeveria ka kërkuar që shkollat të paguajnë rrymën me tarifën e amvisërive, e jo sipas tarifës industriale.

Timço Mucunski, kryetari i komunës së Aerodromit, pjesë e qytetit të Shkupit, tha për Radion Evropa e Lirë se gjithë fokusin e kanë vendosur në investimin e projekteve për efikasitet energjetik, siç janë fasadat e reja shkollave dhe kopshteve për fëmijë, si dhe vendosjen e paneleve diellore.

“Të gjitha shkollat fillore i kemi kyçur me panele diellore. Një pjesë të kopshteve gjithashtu janë të kyçura në sistemin e paneleve”, tha ai.

Sipas tij, edhe ato kopshte që kanë mbetur jashtë kyçjes në sistemin e paneleve diellore do të furnizohen me to.

“Njëherësh jemi duke investuar në fasadat me efikasitet energjetik për shkollat dhe kopshtet, pra mbetemi të angazhuar në zgjidhje afatgjatë. Në asnjë rast nuk do të lejojmë që kriza të ndikojë në procesin edukativo-arsimor”, përfundoi ai.

Show More

Related Articles

Back to top button