LajmeMaqedoni

Në Maqedoni brenda një dite 60 autobusë konstatohen me defekte

Siguria në komunikacion nuk varet vetëm nga pakujdesia e shoferëve gjatë drejtimit të automjeteve, sakaq nga pakujdesia e tyre në mbikëqyrjen dhe kontrollimin e rregullt të mjetit vozitës tek mekaniku.

Nga analizat e realizuara në vendet e ndryshme të Ballkanit mund të konstatohet se trafiku në Ballkan vlon prej automjeteve të vjetra, të paregjistruara dhe me defekte. Maqedonia e Veriut, përveç me veturat, ka një përvojë të hidhur dhe shumë të afërt me problemet e autobusëve që kryejnë transport publik dhe ndërkombëtar të qytetarëve. Gjatë viteve të kaluara janë regjistruar dy tragjedi ku kanë marrë pjesë autobusë nga Maqedonia e Veriut. Muaj më parë, ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi se në një kontroll rutinor vetëm brenda një dite janë zbuluar 60 autobusë me defekt, me të cilat kryhet transport publik në mbarë Maqedoninë. Pas konstatimit të këtyre defekteve autobusët u larguan nga qarkullimi në komunikacion.

Në ndërkohë, statistikat e fundit në Shqipëri njoftojnë se një në tre mjete nuk kalon dot kontrollin teknik për shkak të defekteve në sistemet e frenimit, drejtimit, shkarkimit të gazrave, etj. Dështimi në kontroll teknik i pamundëson shoferët që të regjistrojnë automjetet e tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), informoi se gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti janë paraqitur për testim mbi kontrollin teknik 205 355 mjete, nga të cilat 61 993 ose 30.2% e totalit te mjeteve nuk e kanë kaluar. “1 në 3 mjete rrugore nuk kalojnë testin e kontrollit teknik. Arsyet e kësaj gjendjeje lidhen fatkeqësisht edhe me të shkuarën e hidhur të shërbimit, kur kontrolli i duhur mungoi e i dha kurajo papërgjegjshmërisë. Por kohët kanë ndryshuar dhe situata të tilla nuk do të tolerohen më kurrë”, bën të ditur DPSHTRR.

Edhe në Serbi situata nuk duket mirë. Sipas statistikave të vitit 2021, në Serbi gjithsej janë regjistruar 2.2 milion automjete, prej të cilave 1.9 milionë janë automjete pasagjerësh, dhe 1.7 milionë me motorë Euro 3 apo Euro 4. Me këto standarde të automjeteve dhe me rregulloret e reja të cilat paralajmëron Serbia kundër ndotjes së ambientit, realisht më shumë se gjysma, gjegjësisht 1.2 milionë automjete nuk do të kalojnë dot kontrollet teknike. Ndryshe në Serbi vjetërsia mesatare e automjeteve është 17 vjet, që nënkupton se në qarkullim ka automjete më të vjetra se 30 vjet.

Në Bosnjë e Hercegovinë, mosha mesatare e mjeteve motorike është 16 vjeç. Rreth 55 për qind e automjeteve të regjistruara në Bosnjë dhe Hercegovinë janë më të vjetra se 19 vjet dhe më shumë se 80 për qind e flotës së automjeteve është më e vjetër se 14 vjet. Në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 2020 ka pasur 1.108.711 automjete të regjistruara, ndërsa nuk ka të dhëna se sa të tjera qarkullojnë në komunikacion të paregjistruara. Numri i automjeteve më të vjetra se 27 vjet përbën ende më shumë se një të gjashtën e flotës totale të automjeteve, ndërsa numri i automjeteve me motorë Euro 3 dhe Euro 4 përbën më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të automjeteve të regjistruara. /Koha.mk/

Show More

Related Articles

Back to top button