LajmeMaqedoniRajon

Projekt i ri për siguri kibernetike me mbështetjen e BE-së, do të përfshihen Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi

Udhëheqësja e programit për siguri kibernetike në e-GA, Merle Maigre, njoftoi se me mbështetjen e Bashkimit Evropian tashmë janë duke punuar në një projekt të ri për sigurinë kibernetike, në të cilin përveç Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të përfshihen edhe Shqipëria dhe Mali i Zi, transmeton Portalb.mk.

Maigre e njoftoi këtë në një takim të rregullt koordinues online, ku morën pjesë zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska, ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës Admirim Aliti, përfaqësues nga Akademia e E-Government Estonez (e-GA) dhe USAID në Maqedoninë e Veriut, si dhe përfaqësues nga Agjencia për komunikime elektronike që punon në projekte të lidhura me sigurinë kibernetike në vend.

Maigre theksoi se aktivitetet do të ndahen me ekipin e Projektit USAID-CIDR, i cili tashmë po punon në vendin tonë për sigurinë kibernetike të infrastrukturës kritike të informacionit, me qëllim që të mos mbivendosen projektet, por edhe të rritet efikasiteti i tyre.

Zëvendësja e kreut të Qeverisë përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë Gërkovska theksoi se është shumë i rëndësishëm koordinimi i aktiviteteve ndërmjet sektorëve që punojnë për forcimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike në mënyrë që projektet të mos mbivendosen, nga njëra anë, por gjithashtu të rritet bashkëpunimi dhe efikasiteti i projekteve të realizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e partnerëve të huaj.

Në takim, të pranishmit u njohën me aktivitetet që aktualisht janë duke u zhvilluar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës së bashku me grupin e punës që fokusohet në disa aspekte kyçe në fushën e sigurisë kibernetike, konkretisht energjetikë, banka dhe financa, si dhe komunikimet dhe teknologjinë, por edhe në ndërtimin e elasticitetit digjital të sistemit.

Përfaqësuesja e USAID-it, Don Carmin, e përshëndeti iniciativën e zëvendëskryeministres Gërkovska dhe theksoi se koordinimi i rregullt me ​​E-GA do të jetë i një rëndësie të madhe në realizimin e projekteve.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska njoftoi se në këto takime të rregullta koordinuese do të përfshijë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, ku gjithashtu po zhvillohen aktivitete edhe në fushën e sigurisë kibernetike.

Show More

Related Articles

Back to top button