LajmeMaqedoni

Kërkohet zgjidhje për zhbllokimin e ambasadorëve

Zvarritja e emërimit të ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut mund të merr fund me një vendim të Presidentit, duka anashkaluar konsultimin e ligjvënësit. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani thotë se veprimi i kreut të Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski kalon çdo logjikë njerëzore dhe shtetërore, prandaj duhet vepruar në drejtim të plotësimit të vendeve vakante nëpër përfaqësitë diplomatike.

“Këtu jo vetëm që i bëjmë dëm politikës së jashtme dhe ofendojmë vendet ku ata duhet të shërbejnë, jo vetëm që i lëmë ambasadat e zbrazura për t’iu shërbyer njerëzve tanë në diasporë, për të promovuar politikat tona dhe për të marr informacione çfarë ndodh aty, por ka edhe implikime njerëzore. Fëmijët e tyre duhet të regjistrohen në shkolla. Viti shkollor fillon tani. Nëse ata vonohen disa muaj do të humbin një vit. Unë kam bërë disa herë thirrje edhe private edhe publike deri tek kreu i komisioni sepse kjo tejkalon çdo dallim partiak dhe politik. Është çështje shtetërore në të cilën duhet treguar të përgjegjshëm”, deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Osmani rikujtoi shtetet ku vendi ynë dhe qytetarët janë të pa përfaqësuar dhe të pambrojtur nga diplomacia amë.

“Është bllokuar Sofja si shumë e rëndësishme në këtë moment. Është bllokuar Kanadaja, Belgjika, Oslo, në rrugë të bllokimit është BE-ja, dhe Parisi. Janë vende të rëndësishme ku ambasadat nuk guxojnë të mbeten të zbrazura”, shtoi ai.

Puna e komisionit parlamentar ka ngecur në shqyrtimin e profileve të kandidatëve. Deri tani filtrin parlamentar e ka kaluar vetëm Zoran Ivanov si ambasador në SHBA. Thirrjes së fundit të Osmanit drejtuar Milloshoskit për të thirrur mbledhjen e trupit punues, Milloshoski nuk iu përgjigj dhe nuk deshi ta komentojë./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button