Kumanovë, 28 gusht – Tashmë një javë objektet e N.P. “Ujësjellësi” në Kumanovë janë pa energji elektrike. Kjo, sic thonë nga drejtoria e kësaj ndërmarrje, për shkak të ngritjes enorme të faturave të energjisë elektrike. Megjithatë, falë funksionimit të stacionit të filtrimit Kumanovarët rregullisht u furnizuan me ujë të pijshëm.Ndërkohë që nga Ujësjellësi i Kumanovës njoftojnë se fatura e muajit Korrik është 9 herë më e lartë se vitin e kaluar duke arritur madje në 9 milion denarë.
“Në ndërtesën administrative e kemi softuerin, sistemin kadrovik, monitoringun, dhe të gjitha këto paisje tani nuk mundemi ti shfrytëzojmë andaj edhe po përballemi me probleme të mëdha në pjesën e pagesave të faturave. Problemi me energjinë elektrike u shkaktua vetëm nga ngritja enorme e cmimit, sepse NP “Ujësjellësi” Kumanovë deri në muajin dhejtor 2021 të gjitha obligimet i kryente me kohë”, tha drejtori i N.P. Ujësjellësi Kumanovë, Oliver Stojmanovski.
Problem më vete paraqet fakti se është refuzuar kërkesa e ujësjellësit për pagesë në këste. Nga kjo ndërmarrje thonë se përmes shoqatës së ndërmarrjeve publike komunale “ADKOM”, për problem në fjalë kanë alarmuar me kohë qysh pas faturës së muajit janar, por që deri më tani nuk ka kurfar reagimi lidhur me kërkesat e tyre.
“Reaguam tek “ADKOM”. Në takimin e fundit kanë marrur pjesë përfaqësues të ndërmarrjeve komunale nga i gjithë vendi, e që të gjitha janë në gjendje të njejtë apo edhe më të keqe, por që atyre nuk u është ndërprerë energjia elektrike”, tha Stojmanovski.
Ditët në vijim pritet të shihet se cfar do të ndodhë me fatin e aktiviteteve në N.P. ”Ujësjellësi” Kumanovë. (MTV2)