Shkarkimi i kryetares së Kuvendit, Danijela Gjuroviq, do të ishte një mesazh i keq. Më 2 shtator është caktuar një seancë parlamentare për shkarkimin e kreut të Kuvendit të Malit të Zi, por që kundër kësaj iniciative është kryeministri në largim, Dritan Abazoviq.
“Do të ishte një mesazh i keq, papërgjegjshmëria e politikanëve reflektohet në faktin se ata duan t’i presin kokën në çdo mënyrë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Këshill Gjyqësor, shumë institucione janë në gjendje aktrimi, u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë. Nëse mendoni se kjo është rruga, përkundër të gjitha grabitjeve 30 vjeçare dhe krimit, është ok. Vetëm mos e mbështillni veten me flamuj dhe bëni sikur jeni patriotë dhe evropianë”, tha ai, raporton rtcg.
Kryeministri në largim, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Pljevilje, ku së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Dragoslav Shqekiq vizitoi spitalin lokal, tha se deri më tani, me sa di ai, nuk ka pasur negociata për formimin e qeverisë së re.
“Kam biseduar joformalisht me disa kolegë. Seanca e caktuar për 2 shtator do të jetë një mundësi e mirë, nëse dikush ka iniciativë për bisedime, ne jemi këtu”, pohoi lideri i iniciativës qytetare URA dhe shtoi se problemet në Mal të Zi mund të zgjidhen vetëm me dialog.
Ndryshe, Abazoviq është shkarkuar javë më parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë. /Telegrafi/