Shkolla fillore e re “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël assesi të fillojë të funksionojë me kapacitet të plotë, edhe në këtë një shkollor aty nuk filluan të gjithë klasat. Në objektin e ri filluan vetëm klasat e para dhe të dyta, paralelet e tjera nuk dihet kur do fillojnë. Komuna kërkon nga Ministria e Arsimit që të përgjigjet pozitivisht për financimet e reja, ministri sot e vizitoi objektin dhe tha se i njëjti është gati, shkruan Portalb.mk.
Në këtë një shtator përsëri nuk filluan të gjitha paralelet në shkollën fillore të re “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël. Pavarësisht se ministri i Arsimit paralajmëroi se aty do të organizohet procesi edukativo-arsimor, aty sot kanë filluar vetëm klasat e para dhe të dyta.
Ndërkaq, sot nga po ky lokacion, ministri Jeton Shaqiri u shpreh se kanë kompletuar të gjithë dokumentacionin që 1 shtatori të fillojë i përgatitur.
“Kjo shkollë, gëzuar, ta gëzojnë të gjithë. Çdo dokumentacion është kaluar, është tani në menaxhim të Komunës së Tetovës, në afat maksimal brenda dy tre jave kemi bërë të gjithë kërkesat edhe nga Komuna edhe nga Ministria, çdo gjë është tejkaluar është e nxënësve. Nuk fillon me mungesë kuadri”, deklaroi Shaqiri.
Por, kreu u Komunës së Tetovës, thotë se ende aty nuk është rregulluar sistemimi i nxënësve dhe kuadri arsimor.
“Fatkeqësisht kjo shkollë është keqpërdorur politikisht shumë në të kaluarën. Jam i informuar se në aspektin e dokumentacionit, sektori për arsim bashkë me ministrinë i kanë rregulluar disa çështje. Mbetet që më tutje të rregullohet oborri dhe hapësirat e jashtme dhe sistemimi i nxënësve dhe kuadrit arsimor, pra do të jetë një përkushtim i joni maksimum që sa më shpejtë të shfrytëzohen këto kushte”, deklaroi Kasami.
Nuk dihet ende kur do fillojnë klasat tjera të mësojnë në këtë objekt të shumë pritur.
Kasami tha se janë në fazën e bartjes së nxënësve dhe stafit arsimor që dalë ngadalë kjo shkollë me të gjitha kushtet të cilat i ofron të ketë nxënësit dhe kuadrin arsimor të nevojshëm.
“Tani veç më kanë filluar nxënësit e klasave të para ndërkohë jemi në aspektin e organizimit, që dmth me plotësimin e nxënësve të klasave tjera që bashkë me ato do bartet edhe një pjesë e kuadrit mësimor, por sigurisht do kemi nevojë edhe për kuadër shtesë. Ne bashkë me sektorin e arsimit kemi bërë kërkesë në kohë në MASH edhe për financimet e reja edhe për ato të vjetrat, fatkeqësisht nuk kemi marrë përgjigje as për njërën as për tjetrën. Kërkojmë nga MASH publikisht që komunës ti përgjigjet pozitivisht për financimet e reja dhe të vjetra”, tha Kasami.
Objekti i shkollës u përfundua fiks një vit më parë, dhe u hap në mënyrë simbolike vetëm për klasën e parë që filloi me 1 shtator të vitit që e lamë pas.