LajmeMaqedoni

3 vjet nga themelimi i ASK-së, 3 mijë shtetësi të paproceduara

Tre vjetori i Agjencisë për Siguri Kombëtare korrespondon me rreth 3 mijë shtetësi të paproceduara. Drejtori reformues i këtij organi të sigurisë shtetërore Viktor Dimovski pret emërimin zyrtar si ambasador në Paris të Francës, por duke e lënë ASK-në me mijëra lëndë të paproceduara, madje një pjesë e tyre datojnë edhe nga ish DSK-ja e cila deri para 3 vitesh funksiononte në kuadër të MPB-së. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi thotë çështja e kërkesave për shtetësi do të zgjidhet pas largimit të Dimovskit.

“E kam takuar dhjetëra herë drejtorin për këtë çështje dhe gjithmonë kemi arritur progres por jo të mjaftueshëm. Drejtori i tanishëm është emëruar ambasador në Francë dhe është çështje ditësh kur do të largohet për të ushtruar detyrën e tij. Vlerësoj se me administratën e re të ASK-së, çështja e parë do të jetë shtetësia”, – Artan Grubi, Zëvendëskryeministër

Dimovski do të largohet nga ASK-ja duke e lënë këtë institucion edhe pa adresë ashtu siç parashikohet me ligj. Grubi thotë se po kërkohet lokacion i ri.

“Jemi në një proces të shqyrtimit të blerjes së një objekti në qendër të Shkupit ku do të mund të shfrytëzohet nga institucioni dhe të ndahen përfundimisht nga MPB-ja në përputhje me ligjin”- Artan Grubi, Zëvendëskryeministër

Dimovski me të drejtën e tij diskrecionale duket të ketë hequr dorë nga objekti i paraparë për zhvendosjen e ASK-së në ish Kombinatin e Duhanit në Shkup edhe pse plani strategjik dhe standardet e NATO-s parashikonin funksionimin e sigurisë kombëtare në atë objekt. Ish ambasadori në Beograd dhe ish drejtori i Inteligjencës po largohet nga ASK-ja duke lënë të pa zbatuar edhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në ASK si në nivelin horizontal ashtu edhe në nivelin vertikal të hierarkisë. Formimi i ASK-së doli si produkt i Raportit të Pribesë për reformimin e organeve të sigurisë, pas skandalit të përgjimeve i cili shpërtheu në vitin 2014 dhe keqpërdorimit të DSK-së për larje të hesapeve politike dhe partiake. Plani i Qeverisë për reforma në sistemin e sigurisë është bashkimi i ASK-së me Agjencinë e Zbulimit e cila funksionon në kuadër të Presidentit. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button