Përplasjet dhe akuzat rreth shitjes së tokës publike nga pushteti aktual lokal, mes kësaj të fundit dhe BDI-së në Gostivar, kanë vazhduar edhe pas mbjedhjes së Këshillit komunal, kësaj here përmes rrjeteve sociale. Kryetari Arben Taravari thotë se akuzat nuk mbajnë, pasi siç ai thekson, në Gostivar nuk është duke u shitur tokë publike me çmim një euro për metër katror. Nga BDI thanë se janë dy parcela me rreth 9.000 metra katror që do të shiten me një euro. Parcelat të cilat është planifikuar të shiten, janë dedikim për ndërtimin e Aqua Parkut në Gostivar. Ndërkohë, kryetari Taravari i pyetur sot të komentojë këto akuza, tha se toka është kërkuar të shiten për shkak të krizës financiare që kanë komunat si pasojë e krizës energjetike.
“Aspak nuk mbajnë, bile kur akuzojnë duhet të akuzojnë ashtu siç duhet, sepse ne si komunë, së paku pesë vitet e fundit, derisa unë jam kryetar i komunës së Gostivarit, nuk kemi shitur asnjë metër katror. Por e di se në mandatin para meje 2013-2017 dhe kjo është botërtisht e njohur, kemi mbajtur edhe konferencë shtypi se janë shitur toka prej BDI-së prej 3 euro, 3,5 euro, 4 apo 5 euro ose edhe 9 euro, kurse prej anës sonë asnjëherë nuk është shitur asnjë metër katror.
Është e vërtetë se kemi kërkuar që disa toka t’i nxjerim dhe t’i shesim pasi jo vetëm komuna e Gostivarit, por në përgjithësi të gjitha komunat në Maqedoni janë në gjendje të rëndë financiare për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por edhe për shkak të rritjes së çmimit të karburantëve”, deklaron Areben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Taravari ka ftuar BDI-në e Gostivarit që nëse kanë dëshmi se dikush shet tokë publike në Gostivar për çmimin që ata pretendojnë, ta denoncojë bashkarisht në institucionet kompetente. Nëse ka diçka të tillë, Taravari shprehet i gatshëm të mbajë përgjegjësi.
“Unë i kisha ftuar ata të BDI-së, përfaqësues të Gostivarit nga kjo parti, pasi më duket se vazhdojnë me avazin e vjetër e kjo nuk kapën dhe nuk kalon te popullata, le të dalin dhe le të tregojnë se kur është shitur prej komunës sonë një metër katror me një euro pasi kështu kishin thënë në Këshillin komunal dhe nëse kanë dëshmi, ta paraqesim këtë rast në institucionet kompetente, ta bëjnë publike. Unë jam këtu të mbajë edhe përgjegjësi nëse ka diçka të tillë. Plani ynë ishte disa toka t’i nxjerrim në ankand publik ku do të kishim thirrë përfaqësues të të gjitha partive politike dhe ta marrim çmimin më të mirë të mundshëm me qëllim të vetëm të mbulojmë disa borxhe të cilat i kemi nga investimet e bëra nga vitet e kaluara”, deklaron Areben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Për t’u shitur këto dy parcela prej 9.000 metra katror do të duhej të kalonin ndryshimet urbanistike në bllokun urban 16 dhe 27 të Gostivarit. Megjithatë, propozimi i shumicës në këshillin komunal nuk kaloi, pasi nuk gjeti mbështetje as të partnerëve të koalicionit. Nga Komuna e Gostivarit theksuan se çmimi fillestarë për metër katror është 15 euro dhe dedikimi është vetëm për aqua park. Sipas tyre, nëse pronari i ri i këtyre parcelave nuk do të realizonte këtë investim brenda katër viteve, do t’i prishje marrëveshja dhe toka do t’i ktheje komunës.
Tani për tani nuk dihet nëse ky propozim do të del sërish para këshilltarëve dhe nëse ASH e cila udhëheq me shumicën e Këshillit në Gostivar, do ti bind partnerët e koalicionit, VMRO-DPMNE dhe partitë turke për t’i përkrahur.